Katër ditë art shqiptar në Dyseldorf
Oliverta Lila
Filma shqiptarë, ekspozitë pikture, koncert me këngë të hershme dhe një tryezë për gjuhën shqipe. Katër ditë do t‘i kushtohen tërësisht kulturës shqiptare në Dyseldorf të Gjermanisë. Nga data 5 deri më 9 maj, disa nga sallat më të rëndësishme të këtij qyteti do të jenë në dispozicion të artistëve tanë. Për të dytën herë, organizohet në Dyseldorf "Java e kulturës shqiptare". Kjo iniciativë nisi në vitin 2004, me interesimin e artistëve shqiptarë që jetojnë atje. Pesë vjet të shkuara një ditë i ishte kushtuar librit, ku të ftuarit e nderit ishin shkrimtarët e njohur, Ismail Kadare dhe Fatos Kongoli. Alfred Dade, piktor shqiptar që jeton prej 13 vjetësh në Gjermani, një nga organizatorët e këtij aktiviteti, shprehet se synojnë që kjo nismë të kthehet në traditë shkëmbimi mes Dyseldorfit dhe Tiranës. "Aktivitete të tilla ndihmojnë në një dialog artistik mes artistëve shqiptarë të Tiranës, artistëve që jetojnë në Gjermani dhe publikut të atjeshëm", vazhdon ai. Në ditën kushtuar zhvillimeve më të fundit të kinematografisë shqiptare, janë përzgjedhur për t‘u shfaqur katër filma; "Koha e Kometës", "Tirana viti 0" të regjisorit Fatmir Koçi, "Ne dhe Lenini", filmi më i ri i Saimir Kumbaros dhe "Lule bore" i Bert Budinës. Regjisori Kumbaro do të jetë i pranishëm në Dyseldorf për një bashkëbisedim me publikun që do të jetë në shfaqjen e filmave. Një nga organizatat më të vjetra të artistëve do t‘i kushtojë një tryezë të veçantë gjuhës shqipe. Dita e tretë do t‘i jetë rezervuar muzikës shqiptare. Në një nga sallat më të mira, e cila mban emrin e kompozitorit Schuman, do të luhet një koncert me pjesë klasike shqiptare. Repertori është i mbushur me këngë të vjetra, muzikë nga kompozitorët tanë më të njohur, përfshirë këtu edhe të rinjtë. Një orkestër e vogël është përzgjedhur nga Tirana për të shoqëruar në interpretim sopranot Suzana Frashëri dhe Migena Gjata. "Java e kulturës shqiptare" është mundësuar nga zyra e kulturës gjermane me përfaqësuese Mariane Schirge, me mbështetjen e Ministrisë shqiptare të Kulturës dhe Ministrisë së Jashtme. "Realizimi i ekspozitave apo aktiviteteve të tjera është i vështirë, për më tepër edhe nga pengesat burokratike. Iu drejtuam zonjës Schirge, pas mbështetjes që ajo i kishte dhënë edicionit të parë të "Javës së Kulturës". Ne e shohim këtë takim një mundësi për shkëmbim eksperiencash, bashkëbisedime artistike, për ballafaqim të artit bashkëkohor që bëhet në Shqipëri me atë që zhvillohet në Gjermani. Do të jetë një hapje më shumë e kufijve shpirtërorë", thekson Dade. Java e Kulturës do të mbyllet me një ekspozitë pikture. Pjesëmarrës janë disa nga emrat më të njohur sot, pedagogë të Akademisë së Arteve, si Ali Oseku, Gazmend Leka, Artan Peqini, Genc Përmeti, Genc Mulliqi dhe Besim Tula. Piktorëve u bashkohen edhe artistë që jetojnë jashtë si Driant Zeneli(jeton në Itali), Robert Aliaj (në Belgjikë) dhe Alfred Dade, organizator i aktivitetit. E titulluar "Rrugët", ekspozita përkon me natën e muzeumeve dhe Dade beson se kjo do e bëjë edhe më të vizitueshme. Sipas tij, aktivitetet e parashikuara nuk u drejtohen vetëm shqiptarëve që jetojnë atje, por edhe publikut gjerman. "Për Shqipërinë ka ende një kuriozitet të madh. Nga izolimi i gjatë njerëzit janë të painformuar, sidomos për artin dhe kulturën shqiptare. Shpesh njerëzit më pyesin se çfarë gjuhe flasim, ende nuk e kanë të qartë që ne kemi një gjuhë tonën", thekson piktori. Pjesa më e madhe e artistëve do të jenë të pranishëm gjatë ditëve të këtij aktiviteti, për një bashkëbisedim të drejtpërdrejtë me publikun.
|
|