FORUM SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

RRITJA EKONOMIKE "SHFRYHET" BERISHA

Shko poshtë

RRITJA EKONOMIKE "SHFRYHET" BERISHA Empty RRITJA EKONOMIKE "SHFRYHET" BERISHA

Mesazh nga ADMIN Wed Apr 08, 2009 7:39 pm


Rritja ekonomike, "shfryhet" Berisha
FMN dërrmon qeverinë, shuan shpresat për rritje dyshifrore. Parashikimi: 0-1%. Këshillon: Mos i rrisni pagat dhe pensionet. Por Bode e shpërfill
Gjergj Erebara, Ard Kola


Viti 2009 do të jetë më i vështiri për shqiptarët, me pasoja të rënda ekonomike, reflektimi i të cilave nuk dihet se do të vazhdojë. Tashmë nuk bëhet fjalë për mungesë krize ekonomike, pasi efektet janë shtrirë që prej katër muajsh, por ajo që po diskutohet janë format për ta zbutur sa më shumë rënien ekonomike. Duke u gjendur në një situatë aspak të zakontë, Banka e Shqipërisë, me anë të guvernatorit Ardian Fullani, i sugjeron qeverisë marrjen e disa masave të menjëhershme, të cilat kanë në thelb buxhetin e shtetit. Në një konferencë të përbashkët për shtyp, ministri i Financave, shefi i Misionit të FMN-së dhe guvernatori i BSH-së, paraqitën dje disa plane dhe këndvështrime rreth situatës ekonomike gjatë vitit 2009. Për guvernatorin Fullani është shumë i rëndësishëm fakti se autoritetet përgjegjëse shtetërore duhet të jenë vigjilente për çdo rrezik të mundshëm. Buxheti i shtetit, rialokimi i shpenzimeve të rëndësishme, kursi i këmbimit dhe sistemi bankar, janë shtyllat kryesore ku duhen ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme. Banka e Shqipërisë, jo vetëm që ka qenë aktive dhe transparente, por kohët e fundit është treguar më e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë për rreziqet që e kanosin vendin.

Rreziku i parë

Ngadalësimi i ritmit të rritjes ekonomike në vitin 2009 e bën të vështirë realizimin e treguesve të politikës fiskale në përputhje me parashikimet e fundit të vitit 2008. Sipas Fullanit, zhvillimet në tregtinë e jashtme do të ndikojnë në rënien e të ardhurave, ndërkohë që shtrëngimi i kushteve financiare në ekonomi ndikon negativisht mundësitë e sektorit bankar për të financuar deficitin buxhetor. Në mënyrë që të realizohet objektivi për nivelin e deficitit buxhetor, guvernatori këshillon se është i domosdoshëm rialokimi i shpenzimeve publike sipas rëndësisë, në masën e nevojshme dhe gjatë gjithë vitit financiar. "Në terma praktikë, kjo do të thotë që aty ku është e mundur, të bëhen të gjitha përpjekjet për të ruajtur burimet e të ardhurave, për të gjetur burime alternative financimi, për të shtyrë në kohë shpenzimet jo urgjente, për të ripërcaktuar shpenzimet e planifikuara për këtë vit dhe që janë ende të pakontraktuara ose të pakryera", u shpreh kreu i BSH-së.

Rreziku i dytë

Një ndër faktorët që po ndikon më shumë për keq është kursi i këmbimit, luhatjet e të cilit po japin presione psikologjike të rënda për shqiptarët. Ngadalësimi i eksporteve, rënia e dërgesave nga emigrantët dhe rritja e importeve, ndikuan mbi ekuilibrin e tregut të brendshëm valutor, duke ushtruar presion mbi kursin e këmbimit të monedhës lek në fillim të vitit 2009. "Në një periudhë më afatshkurtër, lëvizjet e shpejta dhe të pakontrolluara të kursit të këmbimit ndikojnë negativisht në psikologjinë e publikut dhe fshehin brenda tyre veprime spekulative të subjekteve të ndryshme", u shpreh Fullani. Në këtë mënyrë, bie besimi i operatorëve ndaj monedhës lek, sidomos ata që duhet t‘i shlyejnë borxhet në valutë. Rënia e ritmit të rritjes ekonomike gjatë vitit 2009 do të reflektojë në rënien e kërkesës së brendshme dhe si rrjedhojë, mund të shoqërohet me rënie të pjesës së saj që drejtohet për mallra të huaja. Kjo jep rënie të tregtisë me jashtë, duke dhënë mundësi të korrektimit të deficitit në llogarinë korrente, por edhe një ekuilibër më të qëndrueshëm të kërkesë/ofertës për valutë.

Rreziku i tretë

Në jo pak raste, guvernatori Ardian Fullani e ka cilësuar depozitën bankare si një "çështje e sigurisë kombëtare". Për këtë qëllim, kreu i BSH-së theksoi rëndësinë që ka rritja e depozitave nëpër banka, si e vetmja mënyrë për të mundësuar mbulimin e kërkesave gjithnjë e në rritje nga individi për shërbime dhe kredi. Duke marrë shkas nga vendimi për rritjen e sigurimit të depozitave, duke i garantuar klientit 2.5 milionë lekë të shumës, Fullani tha se "çdo hezitim për të vendosur kursimet në banka, rrit në mënyrë të panevojshme vlerën e të ardhurave të munguara për shkak të mospërfitimit të interesave dhe të shërbimeve të tjera bankare".

Rreziku i katërt

I gjithë sistemi bankar nuk do të kalojë periudha pozitive gjatë vitit 2009, si pasojë, fitimi do të jetë në ulje. "Shqip" publikoi dje shifrat në rënie të fitimit të bankave me 26 për qind, si rezultat i rënies së kredisë dhe kostove në rritje për shtimin e depozitave dhe të fondeve rezervë për shkak të cilësisë së kredisë. Banka e Shqipërisë i ka kërkuar sektorit bankar të mos shpërndajë fitimin e vitit 2008, në formën e dividentit. "Kjo sjell forcimin e kapitalit të bankës, duke ofruar një garanci më shumë për shëndetin financiar të sektorit", u shpreh Fullani. Gjatë dy muajve të parë të vitit është vërejtur një rritje e kredisë së keqe, që nga 6 për qind ka prekur nivelin e rreth 7.8 përqindëshit. Pavarësisht këtyre problemeve, guvernatori garantoi dje publikun e gjerë se sistemi bankar do të mbetet i qëndrueshëm.


FMN: Mos i rrisni pagat, rritja ekonomike, më pak se 1 për qind

Qeveria shpërfill këshillën, gjithçka llogaritet me zgjedhjet


Fondi Monetar Ndërkombëtar rishikoi në ulje, rritjen ekonomike të Shqipërisë, ndërsa dëshmoi se vijon ta monitorojë nga afër vendin tonë, pavarësisht se formalisht marrëveshja e asistencës teknike u mbyll në janar të këtij viti.

Dje, një delegacion i FMN, i përbërë nga një numër i konsiderueshëm ekspertësh, dha konkluzionet në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Financave, Ridvan Bode, dhe guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

"Parashikimet nuk kanë shumë kuptim në këtë kohë, sepse ndryshojnë vazhdimisht", - tha Bell. "Tani ne besojmë se rritja e vitit 2009 do të jetë mes 0 dhe 1 për qind". FMN thotë gjithashtu se rritja ekonomike do të jetë pozitive për këtë vit dhe se mundësia e rënies në recesion nuk është hedhur ende për diskutim. Diferenca nga rritja ekonomike 5.5 për qind në më pak se 1 për qind nënkupton 400 milionë euro më pak për shqiptarët. Ekonomia shqiptare është rritur me mesatarisht 5 për qind gjatë dekadës së fundit, por FMN thotë se "ritme të tilla tashmë i përkasin së shkuarës".

Një ritëm i tillë rritjeje nënkupton varfërim të përgjithshëm të popullatës, për shkak se rritja ekonomike duhet të jetë më e lartë sesa rritja e popullatës për të sjellë rritje të mirëqenies. Problemi është se situata e vështirë mund të vijojë edhe në vitin 2010.


Qeveria shpërfill FMN

"Qeveria nuk duhet t‘i rrisë pagat dhe pensionet, si dhe duhet të shtyjë për më vonë uljen e programuar të sigurimeve shoqërore", - tha Gerwin Bell, shefi i Misionit të FMN-së. "Qeveria duhet të anulojë disa investime, të cilat nuk janë kontraktuar ende", - tha guvernatori i BSH, Ardian Fullani.

Shefi i Financave Bode iu përgjigj negativisht sugjerimeve të Bell dhe Fullanit: "Ne kemi në plan të ndihmojmë ekonominë përmes rritjes së pensioneve dhe uljes së sigurimeve shoqërore", u shpreh Bode. Të dyja masat planifikohen të hyjnë në veprim më 1 maj. Qeveria beson se arkëtimi i të ardhurave nga privatizimet e kontraktuara si dhe një kredi prej 250-300 milionë eurosh nga jashtë, do të mbyllin vrimat në buxhet. Ky është një projektim i saktë, në rast se çdo gjë ecën mirë. Por kredia prej 300 milionë eurosh ishte projektuar të kontraktohej në janar. Ndërsa tani shpresohet se mund të bëhet efektive nga mesi i majit. "Qeveria mund t‘i rrisë pagat në rast se planet e saj realizohen, por jo më parë", - tha Bell. "FMN nuk është një organizatë e keqe pse këshillon mosarritjen e pagave dhe pensioneve. Edhe ne dëshirojmë që shqiptarët të kenë më shumë të ardhura, por në këtë moment, rritja e pagave sjell edhe rritje të deficitit të llogarisë korrente", - u shpreh Bell.

Në vende si Shqipëria, ndodh shpesh që pagat dhe pensionet të rriten para zgjedhjeve, ndërsa qytetarët detyrohen ta paguajnë shumëfish rritjen e përfituar brenda pak muajsh, në formë nënçmimi të monedhës vendëse dhe në formë inflacioni.

Edhe Banka e Shqipërisë ka qenë shumë aktive gjatë ditëve të fundit, duke i kërkuar qeverisë të vetëpërmbahet në shpenzime. Shpenzimet e qeverisë për efekt elektoral mund të japin pasoja negative më vonë, veçanërisht në rast se ekonomia botërore nuk përmirësohet shpejt.


40

Bode

Situata përmirësohet pas zgjedhjeve të qershorit


Ministri i Financave, Ridvan Bode, bëri të ditur dje se llogaritë e qeverisë marrin për referencë më së shumti zgjedhjet e 28 qershorit, ndërsa mohoi mundësinë e rishikimit të buxhetit dhe këmbënguli në respektimin e premtimit për rritje pagash e pensionesh nga 1 maji, si dhe reduktim taksash.

"Ne do të nxisim kërkesën përmes politikës tashmë të deklaruar të rritjes së pagave dhe pensioneve", - tha Bode. "Ka një diferencë kohore mes axhendës së shpenzimeve dhe asaj të të ardhurave", - vijoi ai. "Ne presim që pas zgjedhjeve, shpenzimet të ulen ndërsa të ardhurat të ndjekin ecurinë e tyre historike", - u shpreh ai.

Pjesa më e rëndësishme e problemeve buxhetore të Shqipërisë lidhet me zgjedhjet, por për herë të parë, dje ministri Bode përdori si referencë zgjedhjet për ecurinë e shpenzimeve dhe të të ardhurave. Në qershor pritet të hapet për qarkullim rruga Durrës-Kukës. Shpenzimet e saj janë barra më e rëndë për buxhetin. Nuk është ende e qartë se sa shumë po rrezikon qeveria ekonominë e vendit me politikën e vet parazgjedhore. Por të gjithë ekspertët janë të një mendjeje se qytetarët në të vërtetë nuk përfitojnë asgjë nga kjo lloj politike.

"Ne, përveç shumës 20 miliardë lekë të reja, 2 për qind të PBB-së që kemi në kontigjenca, mendojmë që të destinohet tërësisht për të garantuar stabilitetin në perspektivë dhe për të mënjanuar risqet e mundshme financiare dhe ekonomike, edhe të ardhurat që do të vijnë nga privatizimet, shuma e të cilave përllogaritet sipas shumave të kontraktuara, rreth 260 milionë euro dhe do të jemi këmbëngulës dhe të shpejtë në kontraktimin e kredisë që do të merret në tregun bankar ndërkombëtar, për ta bërë të mundur që të jetë disponibël në mes të muajit maj", - tha Bode.

Sipas FMN-së, "qeveria nuk ka hapësirë për rritje shpenzimesh", por vetë Bode thotë se "tani për tani, nuk është hedhur për diskutim mundësia e rishikimit të buxhetit". Shpenzimet e buxhetit janë parashikuar duke marrë për bazë rritje të shëndoshë ekonomike. Qeveria duhet të gjejë burime financimi për të mbuluar të ardhura tatimore më të ulëta, gjë që është e vështirë në kushtet e interesave të larta dhe depozitave në banka në rënie.

Kjo ishte konferenca e parë për shtyp në të cilën përfaqësuesit e qeverisë nuk qenë tërësisht optimistë për të ardhmen ekonomike të vendit. Bode tha se "është vërejtur rënie e të ardhurave doganore në krahasim me planin", por gjithsesi, të ardhurat e përgjithshme janë rritur me 7 për qind në krahasim me një vit më parë për periudhën janar-mars.

Rritja e pagave dhe pensioneve është një çështje shumë e ndjeshme elektorale në Shqipëri. Por fakti që qeveria e përsërit si premtim, kjo nuk do të thotë se mund të sjellë probleme për stabilitetin makroekonomik. Gjatë vitit të kaluar, qeveria premtoi gjithashtu rritje pagash pavarësisht këmbënguljes së FMN-së për mosrritje. Në fakt, shifrat e publikuara më vonë, vunë në dukje se qeveria është më e përgjegjshme në veprime nga sa është në deklarata. Rritja e pagave të sektorit publik gjatë vitit të kaluar ishte vetëm 1.24 për qind, shifër shumë më e ulët nga premtimi për rritje 5-10 për qind.



RRITJA EKONOMIKE "SHFRYHET" BERISHA Tar-logo

RRITJA EKONOMIKE "SHFRYHET" BERISHA Top-gold-logo
ADMIN
ADMIN
admin
admin

Numri i postimeve : 902
Points : 859
Reputation : 10
Registration date : 10/01/2009

http://www.Bajzianet.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi