FORUM SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Libri i “Nobelit” francez vjen shqip

Shko poshtë

Libri i “Nobelit” francez vjen shqip Empty Libri i “Nobelit” francez vjen shqip

Mesazh nga Ilda Mon Jan 19, 2009 6:57 am

Libri i “Nobelit” francez vjen shqip

Një nga veprat më të vlerësuara të Le Clezio, Nobelit të 2008-ës për letërsi, vjen në shqip. “Afrikani”, një tablo dhe përqasje njerëzore ndaj së ashtuquajturës botës së tretë, është hedhur dje në treg nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books”. Urim Nerguti e ka përkthyer nga origjinali këtë vepër, në të cilën gjenden arsyet dhe motivacioni që “Nobeli” shkoi për francezin Le Clezio. “Autor i nismave të reja, i aventurës poetike dhe i ekstazave sensuale, eksplorues i një njerëzimi që shkon përtej dhe në thellësi të një qytetërimi dominues”. Flutura Açka, drejtuese e “Skanderbeg Books”, shtëpia botuese që ka sjellë në shqip disa nga fituesit “Nobel”, shprehet se parapëlqente ta kishte edhe Le Clezio në listën e autorëve. Ndërsa jep shumë arsye që e grishën të zgjedhë pikërisht “Afrikanin”. “Është një nga veprat e tij më të bukura dhe ndryshe nga letërsia artistike. Është një lloj himni për babanë e tij, i pranuar në kujtimet e fëmijërisë së tij. Le Clezio është njeri i dashurive të mëdha ashtu si edhe kjo vepër është eksplorim i botës së tretë, i Afrikës, i zezakëve, i jetës dhe aspektit të tyre njerëzor”, shprehet Açka. Që në hyrje të librit Le Clezio i bën një dedikim të atit, kujtimit të tij e të asaj bote që ai e kishte bërë të vetën. “Çdo qenie njerëzore vjen nga një baba dhe një nënë. Ndodh dhe të mos i njohim, të mos i duam, të dyshojmë për ta. Por ata janë aty, me fytyrën e tyre, qëndrimet, veprimet dhe manitë, iluzionet dhe shpresat, me formën e duarve dhe të gishtave të këmbës, me ngjyrën e syve dhe të flokëve, me ngjyrën e të folurit, mendimet dhe me gjasë, me moshën e vdekjes së tyre, e tërë kjo ka kaluar te ne. Për një kohë të gjatë kam ëndërruar se nëna ime ishte zezake. Sajova një histori, një të shkuar, pas kthimit tim nga Afrika, për t‘i ikur realitetit në këtë vend, në këtë qytet ku nuk njihja askënd, ku isha bërë një i huaj. Më pas, kur im atë, në moshën e pensionit, erdhi të jetonte me ne në Francë, kam zbuluar se Afrikani ishte ai. E kam pasur të vështirë ta pranoj. Më është dashur të rifilloj, të rikthehem prapa, të përpiqem të kuptoj. Dhe në kujtim të kësaj, kam shkruar këtë libër të vogël”. Shkrimtari francez ka kaluar një pjesë të mirë të fëmijërisë së tij në Afrikë. I ati ishte kirurg i ushtrisë angleze. Libri bazohet në kujtimet e babait, i cili ka jetuar mbi 30 vjet në kontinentin e zi, në zonën e Kamerunit, drejt së cilës Le Clezio i vogël i vogël udhëtoi duke lënë pas Francën. E gjitha kjo e mbrujti me dashurinë për udhëtimin, për të eksploruar, për të takuar njerëz të ndryshëm. Por Afrika e tij nuk është ajo që mendohet rëndom kur përmendet ky kontinent. Njerëz të zinj, kockë e lëkurë që e kanë lënë kohën të shkojë. A janë ata të egrit? Në faqet e “Afrikani”, nobelisti francez përpiqet të japë të vërtetat në një paralelizëm me qytetërimet e mëdha. Për të, ata grupe njerëzish që jetojnë bashkë në harmoni, që kërcejnë në një shkrirje të çuditshme me natyrën, janë më pak të egër se ata në mes të Parisit. “Unë nuk mund ta kuptoj babanë tim evropian. Duke jetuar mes atyre njerëzve ai e donte lirinë si ata, mendonte si ata. Afrika që njoh unë është ndryshe nga Afrika që njihte babai im dhe kjo më jep trishtim”, shprehet Le Clezio. Lirizmi, karakteristikë e të shkruarit të francezit, përshkon edhe faqet e këtij libri. Sipas Açkës, ky libër, një rizbulim i Afrikës përmes syve të Le Clezio, ka ritëm të jashtëzakonshëm. “Të fut në një botë që ne nuk e njohim dhe kemi nevojë t‘i njohim këto të vërteta. I ndërtuar njëkohësisht mbi të vërteta, por edhe trille artistike, mbetet një nga veprat më të bukura të tij”, shprehet botuesja. Le Clezio, shkrimtari i shumë librave, eseve, përrallave, sagave dhe marrësi i disa prej çmimeve më të rëndësishme, nuk ishte një ndër emrat e lakuar për “Nobel”. Letërsia e tij kushtuar zbulimit të vërtetave të një njerëzimi i parë gjithnjë me kureshtje, ka qenë një nga arsyet që Akademia Suedeze, gjithnjë e më shumë e prirur ndaj letërsisë së temave të mëdha, i ka dhënë çmimin. Le Clezio është botuar në shqip edhe para se të merrte “Nobelin” në shqip. Sigurisht, që pas kësaj njohje ndërkombëtare, vepra e tij do të gjejë lexues edhe në shumë gjuhë të tjera të botës.

Burimi: Gazeta Shqip

Ilda
antar shume aktiv
antar shume aktiv

Numri i postimeve : 295
Points : 16
Reputation : 0
Registration date : 18/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi