FORUM SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Thethi, një vend takimi me Zotin...

3 posters

Shko poshtë

Thethi, një vend takimi me Zotin... Empty Thethi, një vend takimi me Zotin...

Mesazh nga Ilda Mon Jan 19, 2009 3:06 pm

Thethi, një vend takimi me Zotin...

(nga Vladimir Karaj)

Kemi udhëtuar 9 orë për të arritur deri këtu, ku mendimet fillojnë e kondensohen, shndërrohen në mjegull dhe fluturojnë tatëpjetë prej majave në humnerë, duke u ndalur herë këtu e herë atje nëpër ahishte apo duke u ardhur vërdallë shkrepave me forma të mbinatyrshme. Arrijmë të shqiptojmë vetëm “uau” mahnitjeje dhe ndër të rrallë, shkëmbejmë ndonjë fjalë, ndërsa ngjeshim hundën në xhamin e ftohtë të mikrobusit që ngjitet me vështirësi të përpjetës në Qafën e Thores, 1800 metra mbi det e bëhet gati për të zbritur teposhtë, ku hapen luginat e zbukuruara nga gjethe të arta vjeshte e avuj gri, pas të cilave fshihet Thethi. Këtu fryma të meket dhe 8 pasagjerët e furgonit që mezi merr kthesat e ngushta duke u hedhur përpjetë pas çdo guri, lëshojnë në të rrallë psherëtima dhe përsërisin mrekulli, aq herë sa u shkrep në kokë. Nuk ka tabela informuese, por nëse do të kishte, duhej të shkruanin: “Mirëserdhët në Theth, një vend takimi me Zotin”...


Rruga
“Nuk mendoj se Gjermani ka vende kaq të bukura”,- thotë Arjana një studente nga Eseni, e cila ndodhet për vizitë tek mikja e saj në Tiranë, Lira. Të dyja rrugëtojnë me ne, në udhëtimin që organizon Ambasada Gjermane, GTZ (Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Teknik) dhe KFË (Banka Gjermane për Zhvillim). Ne vetëm ia pohojmë fjalinë mysafires, edhe po të ketë vende kaq të bukura dikund tjetër, kjo nuk ka fort rëndësi kur je duke parë nga dritarja dhe ndodhesh buzë një humnere të mbuluar me mjegull, kur zemra ca prej oksigjenit më të rrallë e ca prej një lloj frike fluturimi, edhe pse ndodhesh në tokë, fillon të rrahë çuditshëm. Ora është 18.00 e pasdites së 20 shtatorit, që përkon me ditën e parë të udhëtimit tonë 3 ditor. Në makinën që tani zbret më lehtë drejt Thethit, jemi të gjithë të lodhur. Në Tiranë u nisëm rreth orës 9.00 të mëngjesit dhe duke mos llogaritur aty tek 4 orë ndalesa e rrugën deri në Shkodër, i bie të kemi afërsisht 5 orë udhëtim dhe në pjesën më të madhe, në një rrugë ku makina kërcen pupthi mbi gurë, duke i shkaktuar gunga në kokë Lirës, studentes shqiptare të ekonomisë në Gjermani, e cila thotë se ndodhet këtu për të fituar eksperiencë në projektet e GTZ-së. Në automjetin, i cili nuk duket shumë i përshtatshëm për këtë rrugë, jemi dhe 6 të tjerë bashkë me shoferin që është mjaft i mërzitur me kthesat e rrezikshme dhe gurët që i ngatërrohen në rrota...


Edhe 30 minuta...
E ndërsa dielli ka perënduar e poshtë në luginë ka filluar të erret, Arjana do me doemos të dijë se kur do të mbërrijmë. “Edhe 30 minuta”,- i themi dhe duke parë prej së larti fundin e gropës që ka filluar të humbasë në hijet e natës, ndërsa i afrohemi gjithmonë e më shumë dhe ne na duket mjaftueshëm. Por kur i kemi kaluar të 30-tat, e kuptojmë që kthesat na kanë mashtruar paq, ndërsa një gur që futet si për inat në mes të dy gomave, duke na detyruar të ndalojmë edhe për nja 15 minuta të tjera, e bën krejt të pavlefshme kohë-matjen. Arjana qesh me parashikimin tonë, por fundja ne nuk jemi gjermanë që të jemi kaq të përpiktë për punë oraresh, e për më shumë as ne nuk kishim si i shpëtonim magjepsjes prej mrekullisë, që na qëndron përbri dhe nuk pyet për orët, vitet, shekujt që i kanë kaluar përmbi, pa i ndryshuar asgjë. Makina niset sërish dhe më në fund jemi në Theth. Gjithçka prehet në errësirë dhe e vetmja gjë që shihet janë majat e bardha të Alpeve që duket sikur digjen të ndriçuara prej një çerek hëne.

Të tjerët, bashkë me ambasadorin e ri të Gjermanisë në Tiranë, Bernd Borchardt dhe bashkëshorten e tij, kanë mbërritur më parë falë fuoristradave apo furgonëve më të vegjël, të cilët janë më të këshillueshëm e më të përshtatshëm, nëse ju duhet të ndërmerrni udhëtim në rrugën e pashtruar drejt Thethit. Organizatorja na tregon se jemi caktuar të bujtim tek Mëhill Çarku, një nga 7 shtëpitë e Thethit që me ndihmën e GTZ është përshtatur për të pritur turistë dhe ne na duhet të kthehemi pas nja 2 kilometra deri në hyrje të fshatit, aty ku një tabelë e vënë së fundmi shkruan emrin e të zotit të shtëpisë. Një grua rreth të 70-tave na pret duke na përkëdhelur e duke na sajdisur me fjalë të ëmbla, që i shkojnë për shtat një gjysheje nga Thethi, ndërsa na rregullon një vend afër dhomës me oxhak. Nga dhoma tjetër, një grup të huajsh të shtruar për të ngrënë darkë na përshëndet me një “Hello”, ndërsa në tavolinën tonë janë shtruar menjëherë gotat e rakisë...


Hollandezë e gjermanë
Turistët e parë që takuam në Theth, po të heqim këtu veten tonë, janë një grup i përzier rastësisht mes hollandezësh dhe gjermanësh, një britaniku dhe udhërrëfyesit të tyre shqiptar. Ata si edhe ne kanë një vend në shtëpinë e Mëhillit, ku siç na tregon i zoti i shtëpisë, qëndrojnë prej tre ditësh dhe do të nisen të nesërmen një pjesë për marshim në Alpe dhe të tjerët drejt Shkodrës. “Tre gjermanët i kam miq. Është hera e tretë që vijnë, kurse të tjerët tani kanë ardhur”,- thotë Mëhilli, duke bërë me kokë nga dhoma tjetër. Ata janë ulur rreth në një tavolinë të madhe ngrënieje, ku veç llampës që mezi bën dritë janë vënë të digjen edhe qirinj. Në një dhomë krejt si për turistë, të zbukuruar me një radio të vjetër “Iliria” dhe ornamente të punuara me dorë. “Shqiptarët janë të mrekullueshëm dhe shumë miqësorë”, -përsërisin si me urdhër njëri pas tjetrit, kur i pyesim sesi ndjehen këtu, ndërsa qeshin me batutat mbi gjyqtarin e ndeshjes Shqipëri-Hollandë dhe shtrëngojnë fort gotat e rakisë së kumbullës.

Këtu u njohëm me Lis, një holandeze që e ndikuar edhe nga rakia, qesh sa për gjithë grupin, ndërsa lëshon herë pas here batuta dhe mburr natyrën shqiptare; dy miqtë e saj nga vendi i tulipanëve dhe ata po aq të qeshur, britanikun Morrou, një 70 vjeçar të heshtur, i cili ishte aksidentuar duke ecur në Alpe dhe flet vetëm për të thënë. “Shqiptarët të ndihmojnë sa herë që ke nevojë apo ndjehesh keq, madje edhe pa e kërkuar, përndryshe nga njerëzit në Ukrahinë apo gjetkë në lindje”,-thotë ai, ndërsa buzëqesh lehtë kur të tjerët bëjnë shaka me aparatin fotografik që i është dëmtuar gjatë rrëzimit. Gjithashtu takuam zotin Musonic, një profesor gjerman të dashuruar me Alpet shqiptare dhe Thethin, i cili thotë se ishte nismëtar i një bashkëpunimi me Universitetin e Shkodrës për të përmirësuar turizmin e këtyre anëve dhe që së bashku me dy miq vinte këtu për herë të tretë. I ulur në krye të tavolinës, Musonic, apo kështu ia kuptuam ne emrin, duket se është mjaft i kënaqur me atë që gjen në Shqipëri dhe në shtëpinë e Mëhillit, ku ka ardhur për herë të parë në mes të viteve 90’.


Udhërrëfyesi
E ndërsa hollandezët, që nga pamja duken mbi të 50-at janë dendur me raki dhe kanë shkuar të flenë, Klajdi Kruja, udhërrëfyes i “AutdoorAlbania” gjen kohë për të folur shqip, pasi kishte kaluar orë të tëra në male duke shoqëruar turistët. “Pjesa më e madhe thuajse ikin duke qarë prej këtej”, -na thotë Klajdi, kur e pyesim nëse ata që shoqëron prej 3 vjetësh mbeten të kënaqur. Dhe kur ne lëshojmë një “vërtet?!” dyshuese shton: “ne jemi një vend i vogël me një dendësi të madhe bukurish natyrore dhe njerëz miqësorë që ata nuk i gjejnë në vendet e tyre... Sa herë ndahem në aeroport, i lë të përmalluar”. Por Klajdi vetë nuk është aq i kënaqur nga vendi i tij. “Shkruani noj gjo për plehrat mor amon”,-thotë duke theksuar fjalët në dialekt, ndërsa na tregon se zihet ngushtë sa herë ata që ai shoqëron, e pyesin për mbeturinat e hedhura andej këndej në rrugë gjithmonë në vende të papërshtatshme. Klajdi thotë se është e çuditshme se si për hedhjen e plehrave vend e pavend thuajse nuk flitet fare dhe askush nuk mendon për fshehjen e tyre. Ndërsa bisedat ndanë oxhakut shterojnë dhe ne shkojmë për të fjetur, Klajdi na lë porosi të mos harrojmë të shkruajmë dhe për plehrat, që ai të mos jetë i detyruar t’ua shpjegojë sërish këtë situatë të huajve.


Një shkollë e re për Franin
Këtu është e vështirë të flesh dhe të mbetesh pa parë. Për këtë arsye duket se të gjithë janë në këmbë që herët në mëngjes, kur dielli përkëdhel duke përshkuar tej gjethet e drurëve dhe duke krijuar dritëhije mahnitëse. Programi thotë që duhet të mblidhemi tek shkolla, rikonstruksioni i të cilës i financuar nga ambasada gjermane, do të inaugurohet në praninë edhe të zëvendësministres së Turizmit, Suzana Turku dhe këshilltarit të Kryeministrit për Arsimin, Myqerem Tafaj. Nga ora 10.00 e paradites, të gjithë janë aty, duke përfshirë edhe të sapoardhur nga Tirana dhe një grup të rinjsh vullnetarë, të cilët me ndihmën e GTZ dhe GEF (Projekti i grandeve të vogla) po punonin për shenjimin e shtigjeve malore, për të ndihmuar në këtë mënyrë turistët. Inagurimi zgjat ca,pasi duhet të flasin të ardhurit nga qeveria, që kanë përsëritur të njëjtat premtime për përkrahje dhe turizëm që zhvillohet me hapa të mëdhenj, që i dëgjojmë gjithmonë nga Tirana, por që nuk dinë të thonë se pse qeveria, madje asnjë qeveri nuk ka qenë e pranishme deri tani në Theth, qoftë edhe për të sistemuar plehrat.

Në fund, ambasadori gjerman premton sërish mbështetje, ndërsa hapen dyert dy-kanatëshe të shkollës me dy klasa kolektive, ku mësojnë 20 nxënës. Banka të reja, një kompjuter, dritare më të mira dhe një turrë me materiale mësimore, dhuratë nga stafi i ambasadës gjermane, të cilat e bëjnë të qeshë me sy dhe me gojë Françesko Harushën, nxënës në klasën e dytë, ndërsa përpiqet të hapë një kuti me lapsa me ngjyra dhe njëkohësisht t’i përgjigjet mikrofonave që i janë vënë përpara dhe e pyesin se çfarë dëshiron të bëjë. “Do rri në Theth, do merrem me turizëm”,- thotë ai, duke u përkëdhelur. Ndërsa ne dalim jashtë, kësaj radhe të gatitur për marshimin dhe një takim me Zotin...

Ilda
antar shume aktiv
antar shume aktiv

Numri i postimeve : 295
Points : 16
Reputation : 0
Registration date : 18/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Thethi, një vend takimi me Zotin... Empty Re: Thethi, një vend takimi me Zotin...

Mesazh nga arberia Fri Feb 20, 2009 2:07 am

Sa deshire kam te shkoj njehere ne Theth.Atje njeriu merr fryme lirisht dhe ngopet me ajer te paster...
arberia
arberia
Antar i e shquar
Antar i e shquar

Numri i postimeve : 626
Points : 341
Reputation : 61
Registration date : 19/01/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Thethi, një vend takimi me Zotin... Empty Re: Thethi, një vend takimi me Zotin...

Mesazh nga Lec Neli Fri Jul 31, 2009 3:26 am

Edhe un kam qef me shku shum, e jam i sigurt se ba me ken shnosh kam me shku si vdekja, se kam nigju se asht prejmen mrekulli natyrore, kam ken deri ne Razem ne shkolle te mesme me shkollen e jam knaq e kastan kam anerr e qellim qe nji dit jo fort te largt me shku e me i ba da fotografija qe me i pas pergjithmone jo vetem ne Theth por ne cdo fshat te alpeve shqyptare prej ne Vermosh e deri te liqejt e Lurs ne Diber.

Lec Neli
Antar i e aktiv
Antar i e aktiv

Numri i postimeve : 119
Points : 193
Reputation : 0
Registration date : 03/07/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Thethi, një vend takimi me Zotin... Empty Re: Thethi, një vend takimi me Zotin...

Mesazh nga Sponsored content


Sponsored content


Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi