FORUM SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

SHQIPTARËT DHE HEBRENJTË

Shko poshtë

SHQIPTARËT DHE HEBRENJTË Empty SHQIPTARËT DHE HEBRENJTË

Mesazh nga BESIMTARI Fri Jan 29, 2010 10:33 am

SHQIPTARËT DHE HEBRENJTË




SHQIPTARËT DHE HEBRENJTË – NJË ARRITJE HISTORIKE NË IZRAEL


Nga: Shirley Cloyes DioGuardi, Këshilltare për Çështjet e Ballkanit e LQSHA

Më 1 nëntor, Yad Vashem-i, Autoriteti Përkujtimor i Martirëve dhe Heronjve të Holokaustit në Jerusalem, nderoi heroizmin shqiptar të treguar me angazhimin për shpëtimin e të gjithë hebrenjve të cilët ose ishin duke jetuar në Shqipëri, ose kërkuan atje strehë gjatë Luftës së Dytë Botërore, me hapjen se ekspozitës “Besa: Një kod i nderit – Shqiptarët të cilët i shpëtuan hebrenjtë gjatë Holokaustit”.
Kjo ekspozitë e fotografit të Arteve të Bukura, Norman Gershman, një amerikano- hebraik, dokumenton kurajën dhe dhembjen e shpëtimtarëve dhe të familjeve të tyre, rreth 65 për qind prej të cilave ishin familje me besim mysliman dhe 35 për qind familje të besimit të krishterë, katolike dhe ortodokse, të cilat shpëtuan mbi 2000 hebrenj nga vdekja e sigurt në duart e fashistëve italianë dhe nazistëve gjermanë.
Siç tha përgjegjësja e ekspozitës së Yad Vashem-it, Yehudit Shendar, në fjalimin e mbajtur me rastin e hapjes së kësaj ekspozite me 1 nëntor, Ekspozita e Norman Grshmanit është unik për disa aspekte. “Fotografitë e tij të ndjeshme vejnë në spikamë një aspekt pak të njohur por të jashtëzakonshëm të Holokaustit”. Veç kësaj, Shendari tha se ekspozita sjell në dritë “Rrëfimin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë – ku një komb i tërë, qeveria edhe populli, u vunë në mbrojtje të hebrenjve”.
Ja cila është rëndësia reale e përgjigjes shqiptare ndaj Holokaustit: Jo vetëm se u shpëtuan të gjithë hebrenjtë, një veprim që e bën Shqipërinë vendin e vetëm të Evropës që pas luftës kishte numër më të madh hebrenjsh se sa që kishte para lufte, por shqiptarët i strehuan dhe i mbrojtën hebrenjtë kudo që ishin edhe jashtë Shqipërisë. Shqiptarët e bënë këtë kryesisht mbi bazën e Kodit Moral të BESËS, të cilën Avner Shalev, kryetar i Drejtoratit të Yad Vashem-it, në ceremoninë e 1 nëntorit e përshkroi, si “Vlerë themelore, e njeriut që nënkupton ndihmën për tjetrin, qoftë edhe me koston e jetës tënde”. Kjo Vlerë e BESËS, ka shtuar më tej Shalev, “e tejkalon edhe kulturën e arsimimin e nivelit të lartë, e të cilat nuk kishin arritur dot të çrrënjosnin mizorinë dhe brutalitetin, jo vetëm në Gjermani por edhe gjetiu në Evropë. Shqiptarët, konkludon ai, “treguan se çfarë mund të jetë humanizmi kur arrin lartësitë e tij”.
Për Perëndimin, roli i shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve ka mbetur praktikisht i panjohur edhe sot e kësaj dite, për arsye se ky rol u gropos për 46 vjet me radhë nga diktatura komunisto-staliniste e Enver Hoxhës në Shqipëri. Bëmat dhe heroizmat e sakrificës dhe tolerancës fetare të shqiptarëve u shtypën edhe nga Mareshali Tito në ish-Jugosllavi (Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni dhe Luginë e Preshevës), ku 3 milionë e gjysmë shqiptarë përjetuan torturën, arrestin, dëbimin dhe gjenocidin për mbi një gjysmë shekulli.
Lidhje Qytetare Shqiptaro-Amerikane dhe Fondacioni Shqiptaro-Amerikan qëndrojnë plotësisht përkrah parimit dhe shqetësimit të rëndësishëm të Norman Gershmanit për demonstrimin, pas 11 shtatorit 2007, të faktit se ekzistojnë myslimanë të cilët i kanë shpëtuar hebrenjtë dhe po kaq shumë na shqetëson edhe vazhdimi i mbajtjes nën dry dhe shtrembërimi e shfytyrimi i historisë e kulturës shqiptare dhe realitetit, veprime këto që e rrezikojnë popullin shqiptar.
Sfidë e vazhdueshme për shqiptarët mbetet nxjerrja në shesh e historisë së varrosur, me qëllim që të bëhet publik një herë e mirë fakti se shqiptarët janë myslimanë e të krishterë katolikë e ortodoksë që vazhdojnë të jetojnë krah përkrah njëri-tjetrit për shekuj me radhë dhe t’u kundërvihemi prezantimeve të rreme në shtypin sllav dhe evropian për shqiptarët si një forcë myslimane potencialisht terroriste dhe fundamentaliste në zemër të Evropës.
Megjithëse kjo gjë nuk ka qenë në qendër të vëmendjes dhe angazhimit të tij, Norman Gershman, ka dhënë kontribut të rëndësishëm për këtë angazhim të shqiptarëve nëpërmjet fotografive të tij, të cilat u krijuan edhe falë ndihmës së profesorit Petrit Zorba dhe Apostol Kotanit në Shqipëri, pastaj edhe të ndihmës së shpëtimtarit Mustafa Rezniqi dhe Xhangyle Ilijazi nga Kosova, si dhe të ndihmës së Fondacionit Amerikano – Shqiptar në Nju Jork.
Siç e dëshmon edhe pasqyra e aktivitetit tonë, zbulimi i heroizmit shqiptar të kohës së Holokaustit filloi gjatë vizitës së kongresistit Tom Lantos dhe të ish-kongresistit Joe DioGuardi në Tiranë në vitin 1990., një vizitë kjo e para e ndonjë zyrtari amerikan në Shqipëri gjatë 50 viteve të fundit.
Shtatëmbëdhjetë vjet më vonë, kongresisti Lantos nxori në podiumin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe e përshëndeti ceremoninë e 1 nëntorit në Yad Vashem.
Në përfundim të fjalimit të tij, ai iu drejtua kryetares së kësaj Dhome, zonjës Nensi Pelosi me fjalët: “Zonja kryetare, si një i mbijetuar i Holokaustit nga vdekja e sigurt, po ashtu falë mirësisë së të huajve, popullit shqiptar i jam pafundësisht mirënjohës për guximin, sakrificën dhe fisnikërinë e treguar duke e rrezikuar edhe jetën e tyre për të fshehur e mbrojtur aq shumë hebrenj gjatë njërës ndër orët më të errëta të historisë së kësaj bote.
Më në fund më lumturon fakti që kjo ekspozitë po vë në pah e po nxjerr në dritë mirënjohjen që e meriton Shqipëria për rolin tejet vital të qytetarëve të saj gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe po ashtu falënderoj shumë edhe ish-kolegun e mikun tim Joe DioGuardi dhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane për gjithë atë që kanë bërë për bërjen publike të kësaj vepre.” (Nga Anglishtja Musli Bazhdaraj; Përg.për botim: Elida BUÇPAPAJ)

ALBANIANS AND JEWS / Shqiptarët dhe hebrenjtë:

AKTIVITETI I LIDHJES QYTETARE DHE FONDACIONIT SHQIPTARO – AMERIKAN
Nga Shirley Cloyes DioGuardi

Maj 1990
Kongresisti Tom Lantosh dhe ish-kongresisti Joe DioGuardi ishin zyrtarët e parë amerikanë që hynë në Shqipëri pas pesëdhjetë vjetësh. Në përpjekje që t’i hynte në qejf Tom Lantoshit, edhe vetë një ish-i mbijetuar i Holokaustit, diktatori i kohës, Ramiz Alia prezantoi një arkiv të paparë deri atëherë me letra, fotografi, artikuj të prerë gazetash e shënime të tjera të veprave të papublikuara heroike të shqiptarëve që kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me t’u kthyer në SHBA, DioGuardi i dërgon këto materiale në Izrael, ku ato verifikohen nga “Yad Vashem-i” autoritetit qendror i përkujtimit të martirëve dhe heronjve të Holokaustit, me seli në Jerusalem.
Josef Jakoel, udhëheqës i komunitetit hebraik në Shqipëri dhe bija e tij, Felicita, takohen me DioGuardin në Tiranë dhe e diskutojnë me të planin e tyre për largimin e hebrenjve shqiptarë në Izrael. Jo shumë kohë më pas, Felicita merr një vizë hyrëse për udhëtim në Greqi dhe pastaj, me ndihmën e ambasadorit izraelit në Greqi dhe në kundërshtim me ligjet shqiptare të kohës, udhëton në Jerusalem, ku Agjencisë Hebraike të Izraelit i prezanton listën sekrete të hebrenjve me banim në Shqipëri. Agjencia, nga ana saj, u kërkon qeverive të Izraelit dhe të Italisë si dhe Komitetit të përbashkët Distributiv amerikano-hebraik që të përgatiten për eksodin nga Shqipëria.

Janar – Maj 1991
Josef dhe Felicita Jakoel udhëheqin largimin e 300 hebrenjve shqiptarë nga Shqipëria për ta filluar jetën e re në Izrael.

1992
Vdes Josef Jakoel, që ishte në gjendje të rëndë shëndetësore edhe para se të arrinte në Izrael. Krijohet shoqata e Miqësisë Shqipëri – Izrael dhe presidenti i saj i parë bëhet Refik Veseli, i cili qe shpëtimtari i parë shqiptar, të cilit Yad Vashemi i dha titullin “I ndershmi jo çifut”.

1993
Si mysafirë të filantropit amerikano – hebraik, Harvey Sarner, në Izrael ftohen të gjithë shqiptarët e nderuar me këtë titull. Ata nderohen nga shteti i Izraelit për heroizmin e tyre.

Shkurt 1995
Lidhja Qytetare dhe Fondacioni Shqiptaro – Amerikan bën realitet bashkimin e Shqipërisë në radhët e seksionit “Të ndershmit midis Kombeve”, seksion ky i Muzeut Memorial të Holokaustit në ShBA. Tre kongresistë hebraikë, Ben Gilman, Tom Lantos dhe Jerrold Nadler, bashkudhëheqin e bashkorganizojnë ceremoninë mirëseardhëse, përkujtimore dhe instaluese të sponsorizuar nga Lidhja Qytetare Shqiptaro – Amerikane.

1997
Mbështetur në informacionet e vërtetuara nga Yad Vashemi në vitin 1990 dhe nga tekstet e fotografitë e bollshme e gjithëpërfshirëse nga Josef e nga Felicita Jakoel, Harvey Sarneri boton librin “Rescue in Albania – Shpëtimi në Shqipëri” për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për rolin unik të popullit shqiptar në shpëtimin e hebrenjve nga shfarosja e Holokaustit.

1998
Fondacioni Shqiptaro – Amerikan fillon shpërndarjen e 10 mijë kopjeve të librit “Rescue in Albania – Shpëtimi në Shqipëri”, me qëllim që kështu të bëhej e njohur kuraja dhe toleranca e popullit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe me qëllim që kështu populli izraelit të mësonte më shumë për gjendjen e rëndë dhe vuajtjet e popullit shqiptar të Kosovës nën sundimin brutal të diktatorit serb, Slobodan Milosheviq. (Me kërkesën e Harvey Sarner-it, parathënien e librit e shkruan kongresistët Tom Lantos dhe Ben Gilman dhe ish-kongresisti DioGuardi.)

2003
Pasi e lexon librin “Rescue in Albania – Shpëtimi në Shqipëri” dhe pasi i mëson të dhënat e paraqitura në parathënien e Joes, si dhe pasi gjen numrin e Lidhjes Qytetare Shqiptaro – Amerikane, Norman Gershman, banues në Basalt të Kolorados, kontakton Joe DioGuardin (të cilin ai e kishte njohur 25 vjet më parë kur ishte biznesmen në Nju-Jork).

2004
Fondacioni Shqiptaro Amerikan mbledh fonde për të ndihmuar fotografin amerikano-hebraik të arteve të bukura, Norman Gershman, që ai t’i fotografojë familjet shqiptare dhe pasardhësit e tyre, nga Shqipëria dhe Kosova, të cilët kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë Holokaustit. Ai udhëton në Shqipëri, ku për kërkimin e tij për shpëtimtarët gjen ndihmën e drejtorit të Shoqatës së Miqësisë Shqipëri – Izrael, Dr. Petrit Zorba dhe zëvendësdrejtorit të tij, profesor Apostol Kotani, autor i librit “Shqipëria dhe hebrenjtë – The Albanians and the Jews 1995” dhe të librit Hebrenjtë në Shqipëri ndër shekuj – The Hebrews in Albania throughout the Centuries (1999)” dhe prej tyre arrin të mësojë për historikun e shoqatës dhe të të operacioneve të shpëtimit.

Maj 2005
Në gjashtëdhjetëvjetorin e kampeve nazifashiste të vdekjes, Fondacioni Shqiptaro – Amerikan dhe Lidhja Qytetare organizojnë aktivitetin “Nderim Tolerancës, Rezistencës Kongresisti Tom Lantos dhe senatori Çarls Shumer (Charles Schumer) janë folësit kyç të aktivitetit, ndërsa personalitetet që e nderonin atë në mënyrë të veçantë ishin Harvey Sarner, presidenti lokal 32BJ Mike Fishman dhe Norman Gershman. Para ngjarjes që kishte tubuar rreth tetëqind personalitete të ndryshme flasin edhe presidenti i atëhershëm i komitetit të Kongresit për Marrëdhënie me jashtë, Henri Hajd (Henry Hyde) dhe ish-kryetari Ben Gilman së bashku me rabinin Artur Shnaider (Arthur Schneier) dhe me rabinin Jozef Potasnik (Joseph Potasnik), udhëheqës i bordit të rabinëve për Nju-Jorkun. Gershmani shfaq për herë të parë një film prej 22 minutash nga puna e tij me shpëtimtarët në Shqipëri. Lidhja Qytetare sjell në Nju – Jork, nga Tirana Petrit Zorbën dhe Petrit Kotanin dhe peshkopin e ndjerë katolik shqiptar, Mark Sopin, at Shan Zefin dhe at Lush Gjergjin nga Kosova për të marrë pjesë si mysafirë të nderuar të këtij aktiviteti.
Me ndihmën e bashkëdrejtorëve të Shoqatës së Miqësisë Kosovë – Izrael, Mustafa Rezniqi dhe Xhangyle Ilijazi, Gershamni udhëton në Kosovë dhe hulumton punën që kishin bërë shqiptarët atje për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit.

Shtator 2005
“Local 32BJ Service Employees International Union”, nën udhëheqjen e presidentit të saj, Mike Fishman, sponsorizon posterin përkujtimor urat e fuqishme ndërlidhëse midis popullit hebraik dhe popullit shqiptar dhe ua shpërndan atë në mijëra kopje shqiptarëve në vende të ndryshme.

Tetor 2005
Në konferencën vjetore të Asociacionit të Historisë Orale në Rhode Island, Këshilltarja e LQSHQ-së për çështje të Ballkanit, Shirley Cloyes DioGuardi, bën një prezantim të rolit që kishin luajtur shqiptarët për shpëtimin e hebrenjve gjatë Holokaustit, duke përfshirë edhe shfaqjen e filmit të shkurtër të Norman Gershmanit. Lidhja Qytetare fillon punën me Kongresin e Hebrenjve Amerikanë për përgatitjen e njohjes ndërkombëtare të rolit unik të shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore për shpëtimin e hebrenjve.

Mestitull/Janar/Shkurt 2006
Shirley Cloyes DioGuardi boton në të përmuajshmen e Kongresit – Congress Monthly artikullin “Jewish Survival in Albania & the Ethics of ‘Besa’ – Mbijetesa hebraike në Shqipëri dhe etika e “Besës’”, revistë kjo e Kongresit amerikano-hebraike.
Shirley Cloyes DioGuardi mban një fjalim në “Rotary Club” të Menhetenit për ‘Besën’ si burim të tolerancës fetare të shqiptarëve dhe burim të reagimit të tyre ndaj Holokaustit.
Harvey Sarner i jep Fondacionit Shqiptaro – Amerikan lejen për rishtypje të 20 mijë kopjeve të “Shpëtimit në Shqipëri – Rescue in Albania”, të cilën më pas Fondacioni Shqiptaro Amerikan e shpërndan nëpër Sinagoga.

Qershor 2006
Senatorët amerikanë, Çarls Shumer (Charles Schumer) dhe Xhon Mek Kein (John McCain) paraqesin rezolutën e Kongresit – S.Res. 521, “që lavdëron dhe e përshëndet popullin e Shqipërisë në 61-vjetorin e çlirimit të hebrenjve nga kampet naziste të vdekjes, për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetës së të gjithë hebrenjve që jetuan në Shqipëri apo kërkuan atje strehë gjatë Luftës së Dytë Botërore”.

Korrik 2006
Me kërkesë të qeverisë shqiptare, Joe dhe Shirley DioGuardi udhëtojnë nga Prishtina në Tiranë, për të diskutuar me kryeministrin Sali Berisha dhe me zëvendësministren e jashtme Edith Harxhi planet për shtimin e ndërgjegjësimit ndërkombëtar për heroizmin e shqiptarëve gjatë Holokaustit.
Shtator 2006
Lidhja Qytetare Shqiptaro – Amerikane u jep senatorëve Shumer (Schumer) dhe MekKein (McCain) çmimin e saj vjetor të Paqes për angazhimin dhe punën e tyre në Kongres kushtuar njohjes dhe pranimit të shqiptarëve që shpëtuan hebrenjtë. Edith Harxhi dhe drejtori ekzekutiv i Kongresit Hebraiko – Amerikan, Nil Goldshtajn (Neil Goldstein) marrin pjesë në ceremoninë e Kapitolit amerikan. Lidhja Qytetare e sjell Harxhin në takim me anëtarët e Kongresit të ngarkuar me përgjegjësi për politikën e jashtme.
Shkurt 2007
Pas një beteje të ashpër me sëmundjen e parkinsonit, Harvey Sarner vdes në moshën 73-vjeçare në Palm Springs, të Kalifornisë. Trupi i tij dërgohet për varrim në Jerusalem.
1 Nëntor 2007
Në “Yad Vashem” të Jerusalemit hapet ekspozita udhëtuese e Norman Gershmanit “Besa: Një Kod i Nderit”. Gjatë ceremonisë hapëse që u shoqërua edhe me një sërë aktivitetesh të tjera, njihet e përshëndetet roli unik i shqiptarëve në shpëtimin e hebrenjve gjatë tmerrit të veçantë të Luftës së Dytë Botërore – Holokaustit. Në këtë ngjarje historike marrin pjesë edhe Joe dhe Shirley DioGuardi, Xhangyle Ilijazi, Felicita Jakoel, Apostol Kotani, Mustafa Rezniqi dhe Petrit Zorba.
Nga anglishtja: Musli Bazhdaraj. Përgatit për botim: Elida Buçpapaj
BESIMTARI
BESIMTARI
Antar i e aktiv
Antar i e aktiv

Numri i postimeve : 40
Points : 93
Reputation : 1
Registration date : 28/01/2010

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi