Kredia për shtëpi u përgjysmua këtë vit
Faqja 1 e 1
Kredia për shtëpi u përgjysmua këtë vit
Kredia për shtëpi u përgjysmua këtë vit
Gjatë tetëmujorit u dhanë vetëm 169 milionë euro kredi për prona të patundshme
Gjatë tetëmujorit u dhanë vetëm 169 milionë euro kredi për prona të patundshme
Gjergj Erebara
Sasia e përgjithshme e kredisë për blerje pronash të patundshme është reduktuar me 61 për qind gjatë këtij viti në krahasim me vitin e kaluar, gjë që po rëndon situatën ekonomike të sektorit të ndërtimit, si dhe po i shtyn kompanitë të reduktojnë planet për zgjerim të mëtejshëm. Sipas të dhënave të shoqatës së bankave, gjatë periudhës janar-gusht të këtij viti, për prona të patundshme u dhanë në total 161 milionë euro kredi, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të vitit 2008, u dha 245 milionë euro kredi e re. Gjatë këtij viti, bankat kanë kredituar mesatarisht rreth 20 milionë euro për blerje pronash, ndërkohë që vitin e kaluar janë dhënë deri në 90 milionë euro kredi në një muaj për këtë qëllim. Këtë vit, 53 për qind e kredisë së dhënë për prona janë marrë nga kompanitë e biznesit, ndërkohë që vitin e kaluar biznesi qe përgjegjës për 51 për qind të totalit.
Arsyeja kryesore e reduktimit të kredisë për prona të patundshme është dëshira e bankave për të diversifikuar rrezikun dhe për t‘u larguar nga sektori i ndërtimit. Gjatë viteve të shkuara, kreditimi për blerje shtëpie qe pjesa më e rëndësishme e rritjes së portofolit të kredive afatgjata, gjë që solli një bum të vërtetë në ndërtim. Rreth një e treta e kredive totale në Shqipëri kanë pasur këtë destinacion, por për disa banka, deri në 40 për qind e portofolit të kredive lidhej në mënyrë direkte apo indirekte me ndërtimin. Kriza botërore vuri në dukje edhe zhvillimin e tepërt të sektorit të ndërtimit në krahasim me nevojat e vendit, si dhe rritje artificiale çmimesh të pronave të patundshme. Për pasojë, bankat filluan të dyshojnë mbi qëndrueshmërinë afatgjatë të kreditimit në këtë sektor. Bankat rritën interesat si masë paraprake për të mbuluar rrezikun e moskthimit të kredive nga kompanitë e ndërtimit, si dhe nga bizneset që i kanë përdorur këto kredi për blerje pronash të patundshme, gjë që solli edhe rënien e shpejtë të kreditimit në këtë sektor. Në rast se shikon të dhënat për muajin gusht, interesat u rritën ndjeshëm për kreditë për prona në lekë, ndërsa mbetën të pandryshuara për euron në krahasim me një vit më parë. Por duke qenë se kostoja e euros në treg ndërkombëtar është reduktuar ndjeshëm gjatë vitit të fundit si pasojë e politikës së lehtësimit të Bankës Qendrore Europiane, interesat reale të euros rezultojnë gjithashtu me rritje të ndjeshme.
Vëzhgimet e BSH mbi kreditimin, shohin jo vetëm rënie të interesit të bankave për të kredituar, por edhe rënie të kërkesës nga individët dhe bizneset. Pasiguria që ka krijuar kriza ekonomike dhe financiare botërore ka bindur shumë vetë të shtyjnë për më vonë planet për blerje pronash.
Pasoja afatgjata për ndërtimin
Sektori i ndërtimit në Shqipëri rriti peshën e vet deri në 13 për qind të PBB-së gjatë dy dekadave të fundit, nga 3 për qind që qe pesha e tij para viteve ‘90. Rritja e fortë u shkaktua nga uria e popullatës për apartamente dhe investimet e fuqishme të emigrantëve në shtëpi. Për pasojë, mijëra kompani ndërtimi u krijuan dhe qindra milionë euro u investuan në makineri e pajisje. Por volumi i përgjithshëm i punës në ndërtim pritet të reduktohet. Të dhënat e INSTAT tregojnë se rreth 150 mijë apartamente janë ndërtuar gjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri, shifër kjo që duket se plotëson në shkallë të madhe nevojat e popullatës për strehim. Nga ana tjetër, edhe burimet më të rëndësishme financiare për blerjen e apartamenteve janë drejt shterimit me emigrantët që stabilizohen në vendet ku jetojnë ndërkohë që blerësit potencialë të brendshëm duket se i kanë blerë sakaq apartamentet që kanë nevojë. Vala e fundit e investimeve masive në ndërtimin e apartamenteve filloi në vitet 2006-2007 kur disa zona përreth Tiranës, në komunat Dajt, Kashar dhe Farkë, u hapën për zhvillim. Sot, një pjesë e konsiderueshme e apartamenteve të ndërtuara në këto zona kanë mbetur pa shitur ndërsa në shumë pallate punimet janë ndërprerë përkohësisht. Sipas shoqatës së ndërtuesve, janë rreth 4 mijë apartamente të përfunduara dhe që nuk po shiten.
Disa nga kompanitë e ndërtimit kanë filluar sakaq të zhvendosin aktivitetin nga ndërtimi i apartamenteve te zhvillimi i zonave turistike dhe ndërtimi i infrastrukturës.
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi