FORUM SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Korrupsioni, USAID tregon "kampionët"

Shko poshtë

Korrupsioni, USAID tregon "kampionët" Empty Korrupsioni, USAID tregon "kampionët"

Mesazh nga ADMIN Fri May 01, 2009 4:10 am

Korrupsioni, USAID tregon "kampionët"
Publikohet sondazhi. Më të korruptuarit: Deputetët dhe ministrat. Të ndershëm: Presidenti dhe mediat. Detajet e raportit për qeverinë dhe ekonominë
Erjon Ajazi, Aurora Thomollari


Korrupsioni minon arritjet e qeverisë "Berisha". Sipas sondazhit të USAID-it për muajin janar-shkurt 2009, "kampionët" e korrupsionit janë ministrat, deputetët, doganierët, tatimorët dhe doktorët. Perceptimi i korrupsionit mbi këto kategori është vlerësuar më i larti në sondazhin ku u pyetën 1194 persona mbi moshën 18 vjeç. Sakaq, drejtuesit fetarë, Presidenti, media, ushtarakët, mësuesit dhe drejtuesit e OJF-ve shihen më pak të korruptuar.

Opinioni publik i shikon ministrat dhe deputetët më shumë si të korruptuar sesa të ndershëm. Sondazhi i fundit i USAID tregon se për vitin 2009, ministrat vlerësohen më keq sesa në vitin 2008, duke treguar një rritje prej 6.5 pikësh në shkallën e korrupsionit. Në këtë formë, arrihet vlerësim i njëjtë me atë të vitit 2005, kur shkalla e korrupsionit ishte 78.9 pikë. Niveli i korruptimit të deputetëve ka ngelur pothuajse i njëjtë me atë të vitit 2008, me 77.7 pikë. Shëndetësia përfaqëson në sondazhin e USAID-it sektorin më të përmendur për korrupsion. 37.1% e të intervistuarve pohojnë se i kanë dhënë ryshfet një doktori apo infermieri. Ushtarakët kanë pësuar një përkeqësim me 4 pikë në vitin 2008, por në sytë e publikut vazhdojnë të shihen si më shumë të ndershëm sesa të korruptuar. Korrupsioni i perceptuar për policët është përkeqësuar pak nga viti 2006 (59.5 pikë) në vitin 2009 (63.1 pikë). Sidoqoftë policët vazhdojnë të vlerësohen ende disi më të mirë se në vitin 2005 (66.4 pikë).

Rezulton se perceptimi për korrupsionin në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë. Nga 20 grupe ose institucione të vlerësuara në sondazhin e publikut të gjerë në 2009, 14 prej tyre konsiderohen si më shumë të korruptuara sesa të ndershme dhe vetëm 6 prej tyre kanë marrë më pak se 50 pikë në shkallën e vlerësimit nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë "shumë i ndershëm" dhe 100 do të thotë "shumë i korruptuar". Përgjithësisht, publiku shqiptar mendon se institucionet nuk janë duke bërë mjaftueshëm kundër korrupsionit. Në një shkallë nga 0-100, ku 0 do të thotë "nuk ndihmon aspak" dhe 100 do të thotë "ndihmon shumë", të nëntë institucionet e vlerësuara kanë një mesatare të përbashkët prej 43.8 pikësh. Vetëm media shihet nga publiku sikur po ndihmon në luftën kundër korrupsionit, e vlerësuar me 63.6 pikë, ndërkohë që të gjitha institucionet e tjera janë vlerësuar me më pak se 50 pikë. Institucionet të cilat, në sytë e publikut, shihen si ato që ndihmojnë më pak në luftën kundër korrupsionit janë drejtuesit fetarë, Inspektorati i Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive dhe qeveria. Gjykatat dhe Prokuroria e Përgjithshme tregojnë një përmirësim që nga viti 2005, përkatësisht me 5 dhe 6 pikë. Gjithsesi, këto dy institucione vazhdojnë të mbeten të vlerësuara me më pak se 50 pikë. Më shumë se gjysma e të intervistuarve (54.4%) mendojnë se gjendja ekonomike e vendit është "e keqe" ose "shumë e keqe". Një në katër të intervistuar u përgjigj se është pesimist mbi gjendjen ekonomike të vendit në vitin e ardhshëm.

Gjysma e të intervistuarve që kanë marrë pjesë në sondazhin e USAID-it i përkasin të punësuarve publikë. Nga administrata qendrore janë intervistuar 150 nëpunës, nga administratat vendore 147 persona, nga sistemi arsimor 150 mësues dhe nga sistemi shëndetësor 149 mjekë dhe infermierë. Roberta Mahoney, drejtoresha e USAID në Shqipëri theksoi se "korrupsioni është një problem dhe ekzistenca e tij u vjedh shqiptarëve kohë, energji dhe para që mund të shpenzoheshin më mirë për qëllime më pozitive". Sipas saj, ky sondazh është përgatitur nga IDRA, dhe është i pesti në një seri raportesh mbi korrupsionin në Shqipëri. "Këto sondazhe janë mjete për të ndihmuar të gjithë shqiptarët që të kuptojnë më mirë përmasat dhe natyrën e korrupsionit", tha Mahoney.

PD dhe PS e "lexojnë"

politikisht sondazhin



Qeveria dhe opozita e interpretuan në mënyra të ndryshme sondazhin e USAID-it për nivelin e korrupsionit në Shqipëri. Këshilli i Ministrave bëri me dije se në vitin 2009 ka rënie të korrupsionit, ndërsa opozita e cilësoi qeverinë "Berisha" më të korruptuar sesa në vitin 2008. "USAID ka publikuar një sondazh, realizuar nga organizata IDRA, e cila, megjithëse e njohur për anësimin politik, konfirmon edhe një herë rezultatet pozitive të reformave të qeverisë "Berisha" në luftën kundër korrupsionit", u shpreh zëdhënësja e Këshillit të Ministrave, Majlinda Bregu. Ndërsa nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, theksoi se sondazhi tregon se doza e besimit të qytetarëve ndaj qeverisë ka rënë nga viti në vit.

Mazhoranca

Zëdhënësja e qeverisë, njëkohësisht ministrja e Integrimit theksoi se në Shqipëri përvoja e korrupsionit po ulet në mënyrë të vazhdueshme. "Ky është treguesi i vërtetë që mat se sa i përhapur është korrupsioni. Indeksi i mënyrave të viktimizimit nga korrupsioni është ulur nga 1.7 në vitin 2005, në 1.29 në vitin 2009", tha Bregu. Sipas interpretimit të qeverisë, është e madhe ulja e kërkesës për ryshfet nga nëpunësit dhe zyrtarët. "Nga 12.2% në 2005-ën, në 6.1% në 2009. Pra, korrupsioni i administratës është përgjysmuar", vijoi Bregu. Sipas saj, ryshfeti në arsim është ulur me 300%. "Në 2005, 29% e prindërve pohojnë se kanë paguar ryshfet për arsimimin e fëmijëve të tyre, ndërsa sot, rastet e ryshfetit në arsim kanë rënë në 9%", tha ajo. Lidhur me korrupsionin në polici, nga 12.5% që ka qenë në vitin 2005 më 2009-ën është në 7.8%. "Pra, korrupsioni në polici është ulur me 40%", tha Bregu. Sipas ministres, ryshfeti është ulur gjithashtu edhe në marrjen e dokumenteve nga 29.6% në 2005-n, në 19% në 2009-n. "Saktësoj se numri më i madh i dokumenteve lëshohet nga organet e qeverisjes vendore", tha zëdhënësja e qeverisë duke ia faturuar fajin pushtetit lokal. "Korrupsioni në tërësi ka një ulje të ndjeshme prej 9 pikësh.

Shëndetësia ka një ulje nga 39.7%, në 37.1%, pra, jo shumë e ndjeshme, por ky do të jetë fokusi ynë në luftën kundër korrupsionit gjatë mandatit të ardhshëm", theksoi Bregu. Edhe Kryeministri Berisha konstatoi nga Varshava reformat e qeverisë së tij për luftën ndaj korrupsionit. "Shqipëria, që ishte në 24 vendet më të korruptuara, vitin e kaluar la mbrapa 95 vende dhe është duke u përmirësuar. Ne nxorëm administratën publike jashtë konfliktit të interesit, nxorëm një ligj për të mbrojtur informantët kundër korrupsionit, njëlloj si dëshmitarët e krimeve të rënda dhe i shpërblejmë ata me 6% të vlerës që sjellin. Ne realizuam prokurimet elektronike, taksat elektronike, doganat elektronike", tha Berisha. Sipas tij, qeveria e djathtë ka arritur në tre vjet të ketë 3 miliardë euro më shumë se qeveria e mëparshme.

Opozita

Partia Socialiste komentoi dje rezultatet e raportit të USAID-it, duke dalë në përfundimin se institucioni që e lufton më pak korrupsionin është qeveria shqiptare. "59 ditë larg nga fundi i mandatit 4-vjeçar të Sali Berishës, referuar sondazhit më të fundit të USAID-it mbi perceptimin e korrupsionit në Shqipëri, çdo shqiptar ka të qartë tashmë dy gjëra 48.5% e shqiptarëve mendon se korrupsioni në këtë vend është rritur në krahasim me një vit më parë, ndërkohë që 38% e shqiptarëve mendon se korrupsioni ka mbetur i njëjtë me një vit më parë (vit kur korrupsioni qe përsëri më i lartë)", tha Braçe. Një tjetër konstatim, sipas tij i këtij sondazhi është se besimi i qytetarëve shqiptarë tek institucionet në luftën kundër korrupsionit ka pësuar sërish rënie në krahasim me një vit më parë. "Institucioni që në sy të shqiptarëve shihet si institucioni që ndihmon më pak në luftën kundër korrupsionit mbetet qeveria", theksoi Braçe. Teksa shprehu besimin se nëse sondazhi do të bëhej sot, dy muaj larg nga dita e zgjedhjeve, shifrat do të ishin edhe më të rënda. Ai vuri në dukje se qeveria e Sali Berishës, ministrat e tij, drejtuesit politikë të administratës kanë nisur një fushatë të llahtarshme zhvatjeje dhe plaçkitje të pasurisë dhe të mirave publike. "Pra, tani në fund po vjedh kushdo, pa dallim, ministër apo zyrtar politik, dhe po vidhet apo tjetërsohet çdo gjë, nga tenderat deri te licencat", deklaroi ai.


KLD: Publiku, besim

te reformat në gjyqësor


Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka vlerësuar rezultatet e sondazhit "korrupsioni në Shqipëri, të publikuar dje nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi. "KLD-ja, me përgjegjësinë e organit qeverisës ndaj sistemit gjyqësor, mbetet i ndjeshëm ndaj çështjes korrupsion dhe impakteve të mundshme të tij në gjykatat shqiptare. Ky këshill rikonfirmon predispozitat e tij të plota në marrjen e të gjitha masave për përmirësimin e integritetit të gjyqësorit shqiptar, duke investuar në çdo vendimmarrje të tij, elementë që i shërbejnë më së miri funksionimit të drejtësisë" thuhet në njoftim. Sipas tij, në këtë proces, treguesit e jashtëm si ky sondazh, janë një nxitës i nevojshëm për vijueshmërinë e konsolidimit të integritetit gjyqësor. "Statistikat mbi perceptimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor, tregojnë se:

Vitin e fundit, publiku i gjerë ka një rritje të besimit te gjykatat shqiptare me afro 6 pikë përqindjeje. Është rritur perceptimi për një trajtim më të mirë nga gjykatat, me afro 3.9 pikë përqindjeje, që do të thotë se gjykatat ofrojnë sot më shumë profesionalizëm dhe reflektojnë më shumë përgjegjësi ndaj problematikave të publikut", thotë KLD-ja, e cila shton se krahasuar me një vit më parë, vetë gjyqësori ndihet më e besueshëm ndaj faktit se korrupsioni nuk është problemi më serioz i drejtësisë, ndërsa mbetet i tillë, ndërhyrja e avokatëve në veprimtarinë gjyqësore. Statistikat e mësipërme, sipas Këshillit, nuk përjashtojnë vëmendjen ndaj rëndësisë së besimit të publikut të gjerë dhe sektorit publik, ndaj paanësisë së gjyqtarëve.
ADMIN
ADMIN
admin
admin

Numri i postimeve : 902
Points : 859
Reputation : 10
Registration date : 10/01/2009

http://www.Bajzianet.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi