FORUM SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Çajupi student në Gjenevë

Shko poshtë

Çajupi student në Gjenevë Empty Çajupi student në Gjenevë

Mesazh nga Orfe@ Sun Apr 26, 2009 11:03 am

Çajupi student në Gjenevë
Nga Agim Shehu

Në moshën e të 20-ve ai qe student në Universitetin e Gjenevës. I ati i tij Haritua, tregtar i pasur duhani në Kavallë, i kish siguruar një strehim me qera te një shtëpi vendase zvicerane. Ish pallat i hijshëm mes blerimit. Studentit të huaj i kishin lënë dhomën karshi Liqenit me një ballkon rrethuar saksi lulesh. Disa prej tyre degëzat e blerta i zgjatnin gjer poshtë murit në oborr, si për të përshëndetur të parat ata që hynin. Dhomën e tij Andon Çakua i ri e kish rregulluar me shije. Raftet qenë plot libra të zgjedhura të letërsisë dhe të Universitetit. Në mur kish portretin e Skënderbeut karshi asaj të Rusoit. Mbi shtrat mbante fotografitë e prindërve dalë bashkë rrethuar me një tufë trëndeline të vendlindjes. Vetë mbahej tepër i pastër e i rregullt. Dilte nga dhoma kur bindej se këpucët i xixëllonin e pasi bënte dhe një shikim të vetes te pasqyra e dollapit. Herë herë bisedonte pak me veten e tij karshi në pasqyrë: rregullonte më mirë kravatën...këtë bënte dhe tjetri brenda pasqyrës. Vinin buzën në gaz, në një kohë të dy bashkë. Familja vendase qe me kulturë. Nuk kuptohej ç’pasuri kishin, por tregonin fisnikë. Në takimin e parë bisedën e bënë si zotnij: kënaqësi që njiheshin... urim për mbarëvajtje në studime...besim nga dy anët se do kalonin mirë e me kulturë...Kaq, dhe secili në punë të tij.

Ata kishin një vajzë, Evgjeninë. Kish marrë diplomë juridike e sa kish nisur punë si avokate. Qe natyrë e gëzueshme aq sa dhe e hijshme, e ndryshme nga prindët e mbyllur te vetja. Ata mbanin përpara “Kontratën Shoqërore” të Rusoit, ajo mbante “Heloizën e re“ të tij.

Në takimin e parë me të riun e huaj çdo gjë eci kalimthi; i thanë emrat njeri tjetrit, punën që bënin, ndonjë pyetje thënë pa kureshtjen e përgjigjes. Pas bisedave të para, vështrimi filloi t’u humbiste here herë brenda syve të njeri tjetrit, thua kërkonin diçka që secili e mbante me kujdes të fshehtë! Ajo u largua, duke lënë pas një qeshje të çiltër e të ëmbël. Ai i ndoqi me sy hapat tek largohej; vështrimi i shkoi te pjesët femërore të trupit, por ajo doli. Uli sytë te pëllëmba ku kish ndënjur ca dora e butë e saj. Vështroi mes saksive si ajo po largohej në oborr për diku! Ballkoni kish aroma të trazuara luleje e vajze. Qenë ditët e Pashkës. Doli në ballkon, u ul në karrike e po shihte nga Liqeni. Varkat lëviznin mbi ujë si lodra fëmijësh. Një avullore e madhe ikte diku larg. Çajkat e bardha trokisnin me sqep mbi ujra e ngjiteshin prapë në ajër... Ai kalonte sytë mbi qytetin e madh e të bukur që e rrethonte Liqenin si në prehër të vet; më tej hapeshin lëndinat tërë blerim...Iu kujtua vëndlindja, fshati i tij brënda luginës. Malet me gurë, fushat poshtë plot bar, arat e paka zverdhur nga gruri, lumi i hollë poshtë luginës, kisha me varret afër...Ndjeu mall për të gjitha.

Ra dera; shkoi e hapi. U duk Evgjenia. Në dorë mbante një pjatë ëmbëlsire.

-Pashkën ne e nderojmë - foli ajo me një buzëqeshje të përmbajtur.

- Edhe ne - u përgjigj ai, dhe i bëri shenjë të hynte. U ulën përballë.

- Ju jeni vend mysliman, mesa di -?!

- Ka dhe krishterë - .

- Po si mirreni vesh -?

- Siç na këshillon Zoti. Feja është për bisedë me Qiellin. Në Tokë flasim si vëllezër me njeri tjetrin-.

Ajo e pa me kujdes:

- Në studime, mesa duket, ecën mirë?!-

- Jo keq! -

Ai po i shihte me vëmendje sytë që e tregonin sa të hijshme dhe të mprehtë.

- Sikur, po më shihni me vëmendje? - pyeti ajo në humor.

- Një dredhë floku të ka marrë formën e pikëpyetjes mbi ballë!-

Sytë asaj iu bënë me dritë:

- Paskeni fantazi poeti !?-

- Mbase, që nga vendlindja ime -…

Me ëmbëlsirën e Pashkës po uronin njeri tjetrin.

- Ju jeni gentil si prej bari, perëndimor por, të më falni, ky mbiemri juaj – Çako, kur e thua të bëhet se përtyp gurë nër dhëmbë – ç...k...ç...k. .! -

- Mund të keni të drejtë, por ne para se të vemi te bari, kemi dalë nga guri! Emërtimin “Çako” ma pranonin çukat dhe kreshtat e vëndit tim!..-

- E kisha fjalën, se ne e shqiptojmë me vështirësi atë “ç”-në tuaj! A nuk do të tingëllonte bukur, bie fjala të zëvëndësohej me “Z”- “Zako”, si me zë zogu! I qëndrohet besnik dhe natyrës suaj të butë! –

- Dhe mund ta bëj, meqë e pëlqeni këtu, por sa për besnikëri, do shtoja se ju keni pabesinë tuaj edhe ndaj zogut! I flisni atij pa i përmendur asnjë shkronjë të emërtimit: e shkruani “oiseau”, e shqiptoni “uazo”! Asnjë fjalë e saj në të - .

- Që këndej e keni nisur frengjishten? ! -

- Bie fjala!..Prindët i keni të mirë, fisnikë, po disi të ftohtë! – tha ai.

- Ndoshta, por kjo, ngaqë nuk duan të ngatërrohen në punët e tjetrit! Psh, ata i shqetëson kur shohin një parregullsi – dhe sytë i kish te ca libra të tij lënë mbi shtrat.

- Në vendin tim rregullsia e tepërt është e mërzitëshme. Pak çrregullim në jetën e njeriut është e nevojshme, si pak kripë në ëmbëlsirë. -

- Bie fjala - nguli këmbë në të saj vajza gjenevase duke parë nga krevati i studentit - duhet të jetë sa më i rregullt! – dhe qeshi për të treguar se e thoshte dhe për humor.

- Mendoj se, veçanërisht shtrati i një studenti është më i këndshëm kur shihet ca i çrregullt..!-

Ajo e pa në sy për të saktësuar më mirë mendimin e tij. Ai ndenji i qetë, si pa gjë të keqe në mëndje.

U dëgjuan hapat e prindërve në korridor. Studenti i huaj bëri ca lëvizje, për t’i pritur brenda.

-Është ora e kishës - tha e bija. Atij i vanë sytë te prindët e tij në mur.

- Gjithë prindët e botës janë njëlloj: ecin të matur, ngadalë, si akrepat që shënojnë orët, thua në çdo hap japin një këshillë!-

- Po e bija, si i hedh hapat?! - pyeti ajo.

- Natyrisht, si hapat e sekondave. Sa e ke këtu, të ndodhet atje...!- dhe i mbajti sytë te dy zogjtë vizatuar mbi fustanin e saj te gjoksi. Në çdo frymëmarrje të saj, ata ngriheshin e uleshin përsëri te vendi.

-Po shikon zogjtë? - pyeti ajo.

- Kur ti qesh, ata bëjnë të fluturojnë. U rri kaq afër, e nuk tremben!...-

- Ata e dinë, se këtu njerëzit me kulturë nuk i prekin me dorë!-

Ai ndjeu, se gjer tani kish folur kot çdo gjë; bisedën duhej ta shtronte më me kujdes. Gjenevesja e kuptoi:

- Ç’fustan pëlqejnë vajzat tuaja andej? -

-Të bardhin, të nusërisë. Këtë fustan ka në ëndër dhe djali, siç e thotë kënga jonë: „Ç’ëndër ëndërrove mbrëmë?/ -Mbolla karafil në hënë!/- Si e mbolle, ç’të ka dalë?/ - Më doli fustan i bardhë“! -

- Një mrekulli! - foli ajo – përsërite, të lutem!- Ai e përsëriti.

- E popullit, apo e ndonjë poeti!?-

- Populli, po më saktë, një poet fshehur brenda popullit.- Ajo nxori lapsin e letrën dhe e shkroi...

Vështroi orën, u kujtua se duhej të dilte. Ai e përcolli gjer te porta. Ajo e falënderoi dhe u largua me hapin e hijshëm të saj. Atij iu bë se fustani i saj duke u larguar nga ai po kthehej i bardhë! Kish një gëzim dhe një pikëllim bashkë.

Ajo po bëhej pjesë e jetës së tij. Dëgjonte hapjen e portës, mbyllte librin që kish në dorë dhe mbante vesh në qenë hapat e saj! Shihte nga ballkoni hapësirën e Liqenit....Kujtonte luginën rrethuar male të vendlindjes.. .vajza e urtë e fshatit me të cilën donin ta fejonin prindët. Ajo tani, me harkun e draprit të bardhë në sup po ecte pas shoqeve të korrnin grurin e arave...

Trokiti dera. Vajza zvicerane hyri pa pritur përgjigje, përshëndeti e u ul lirshëm në cepin e shtratit të tij.

- Të solla këto dy libra, ‘Vuajtjet e Verterit të ri’ të Gëtes dhe ‘Heloiza e re’ e Rusoit. Ndoshta i ke lexuar, por janë libra që rilexohen! -

Ai e falënderoi e i mori në duar si dy miq të rinj nga e huaja!

- Ta trazojnë ca zëmrën po e ke të fjetur -, foli ajo duke e parë në sy. Atij iu duk më e afërt.

- Të rinjtë, bëjnë dashuri në anët tuaja?! – shtoi ajo.

- Sigurisht, në mënyrën e tyre -.

- S’të kuptoj...-

- Në zakonet që kanë, sipas vëndit e kohës -.

- Dashuria është një, e vetë njeriut -.

- Si ta kuptosh. Vallja jonë ka dy vetë në krye, po vargu i saj lidhur pas tyre është më i gjatë. Bëhet fjalë për më shumë se dy vetë -!

- Thonë, Ballkani është i ashpër për femrat...-

- Nuk e ka lënë Europa të jetë më i butë! – Ajo s’e kuptoi, e ky vazhdoi: - - Në anët e mia femra është më e sigurt se rrallëkund në botë. E martuar me dorë të familjes, ajo është në mbrojtje të saj dhe me të nuk tallesh dot! Asaj, dhe në malet e mbyllura i flitet „zonjë “, „oj fisnike“!...Në hakmarrje burrash ajo ndërhyn mes dyfeqesh e i pajton ata pa u cënuar prej askujt. Asaj që marrim grua ne i themi „bashkëshorte“, dmth secili i martuar është short i përbashkët i tjetrit. Në raste sjelljesh të këqia të njerit, doemos ka ndarje; por kot së koti, dmth se më pas shoqja nuk të pëlqen e dridhesh pas një tjetre, lodrat me të nuk t’i pranon kush! Gjersa s’ka bërë sjellje të dënueshme, secili mbetet „short“ i tjetrit! E tillë, familja mbetet e fortë për të përballur jetën e nëse njeri ndrron jetë, ai që rron e qan gjithë jetën...-

Ajo kish dëshirë ta dëgjonte. Ai shtoi, si duke folë me vete:

- Femra tek ne i ngjan arrës...Gjeneva ka shumë arrë...Gjethja e saj nuk e lëshon aromën larg vetes, për ta hapur udhëve. Erën e saj arra ia jep vetëm atij që e mban në dorë...-

- Ju po flisni si Rusoi – foli ajo me adhurim, pastaj shtoi – po të rinjtë vetë, a trazohen me njeri tjetrin pa dijeninë e prindërve - ?

- Po të tregoj një këngë, ngritur gjithashtu pa emër njeriu nga vetë të rinjtë: Një vajzë jelekverdhë po vinte nga larg; djali pandehu se ajo vinte drejt tij e i ndënji përpara me cigare ndezur! Pa e vënë re këtë, ajo kaloi në punë të saj, dhe djali i pikëlluar po e ndiqte me sy, tani me cigaren të shuar...Pastaj e pa në ëndër, iu bë si një mjergull e bardhë. Zgjati dorën ta kapë, kapi vetëm mjergull! Deshi të vrasë veten, megjithatë, thotë në fund, - unë veten nuk e vrava, po mblodha shokët e qava...“

Zviceranes i ndritën sytë:

- Ai që e ka krijuar, pse nuk e tregon emrin ? -

- Ujrat rjedhin nga mali pa merakun që të tregojnë dëborën nga vinë. -

- Po kur dy të rinjtë bashkohen... si e thotë kënga ? -

- Ka, sigurisht, zjarre fjalësh sa disa nuk t’i them dot! Po të tillat i krijojnë më shumë djemt e etur nga mungesa e vajzës. Në fshatin tonë një djalë që i krijonte këto i pari, pasi u martua nuk krijonte më dot. Fjalët me zjarr vajze iu shuan një nga një në shtratin e gruas. Shokët e zëvëndësuan me tjetrin -.
Orfe@
Orfe@
Antar i e regjistruar
Antar i e regjistruar

Numri i postimeve : 23
Points : 63
Reputation : 4
Registration date : 22/04/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Çajupi student në Gjenevë Empty Re: Çajupi student në Gjenevë

Mesazh nga Orfe@ Sun Apr 26, 2009 11:03 am

Evgjenia qeshi me zemër. Deshi të pyesë më tej, po ai vazhdoi:

- Ka dhe ngjarje të tilla: në krahinën time Greqia fqinje ngulte këmbë që në kishë të na dërgonte një prift të saj, pasi mëndja greke tërë ortodoksët e Europës i quan grekë! Prifti erdhi u ngul në fshatin Hoshtevë në fund të luginës. Banorët e saj, sa të mënçur aq dhe shqiptarë, e ngacmuan sa ia nxinë jetën e ai u detyrua të largohej. Në vënd të tij prunë një vajzë murgeshë, të bindur se shqiptarët nuk i ngasin femrat. Një i ri fshati bagëtinë e tij filloi ta mbante rreth e rrotull kishës. Murgesha e ndiqte me sy dhe iu ëmbëlsua, aq sa me të mbeti shtatzanë!..Kur barkun s’e fshihte më dot, u detyrua të largohej, dhe kisha mbeti shqiptare...”

Evgjenia po e shihte në sy me një nënqeshje të lehtë:

- Edhe këto i bëni ju ?! –

- Kur na detyrojnë....edhe për armikun shqiptari e kursen plumbin. -

- Megjithatë, meritojnë të shkruhen si letërsi! -

- Të shohim!..-



*

- Kam përvjetorin e vdekjes së gjyshes – tha Evgjenia posa hyri në dhomën e tij me një tufëz lulesh në dorë, - më ka dashur shumë e më ka mësuar shumë. Iku me emrin tim në gojë. Do t’i vete...

- Mund t’ju shoqëroj? – pyeti i riu i huaj.

- Me kënaqësi.

Po kalonin anës lulishtes së bukur të qytetit. Ai ndaloi pranë një gëmushe tërë lule e po i ledhatonte me zërat e vëndlindjes së tij.

- Ç’po bën ashtu? – pyeti ëmbël ajo.

- I ledhatoj; në vëndin tim lulet janë njerëz. Kur humbasim një të dashur, vemi ngushëllohemi me lulen: “U ngrit lulja në mëngjez/ duke larë sytë e zes/, nuk më flet, e unë e pres/ kur të rroj e kur të vdes...”

- Me sa di, lulja nuk është pronë vetëm e vëndit tuaj!

- Nuk e thashë këtë. Gjithësesi dhe poeti romak Tibuli u këndon si me shpirtin e vëndlindjes sime: po ta dinin lulet se sa të dua, do vinin tek unë të qanim bashkë për ty...po të dëgjonin zogjtë, do na vinin pranë e do këndonin që të harroj dashurinë për ty!...”

- Ai ka kënduar kështu për fatkeqët në dashuri.

- Sigurisht; fatmirët këndojnë vetë për veten e tyre pa ndihmë poetësh...

Qenë afruar te varrezat e qytetit. Në hyrje lexohej tabela: “Les morts vivent” (të vdekurit rrojnë). Ata u futën brënda, ai e ndiqte disi pas. Nga çdo anë gurë të bardhë me shpirtëra njerëzish brënda tyre. Disa varre bari i kish mbuluar gati krejtësisht, si për të treguar se njerëzit brënda tyre nuk i takonin më botës mbi dhè! Qe një heshtje e thellë, e shurdhët që vizitorët i ftonte në gjirin e saj për t’iu shmangur zhurmës diku larg. Të vdekurit heshtnin, si të mbanin vesh se kush i vizitonte kësaj radhe dhe te kush shkonin!

Evgjenia me buqete në dorë po drejtohej nga gjyshja e vet. Hapat i hidhte lehtë, si me ndrojtje mos i shqetësonte ata që e dëgjonin poshtë! U ndal pranë saj. Të dyja, njeriu i jetës dhe ai i vdekjes po heshtnin karshi njera tjetrës. Ajo u përkul mbi të, i vuri lulet në krye e po i lëmonte fotogradfinë; i hoqi ca fije barishtesh të thara, pastaj uli faqen mbi barin e gjelbër sipër saj, si e shtrirë pranë gjyshes, dhe po rrinte ca ashtu në heshtje!

Çajupi i ri më këmbë ndjeu dhëmshuri, pastaj tronditje: ajo po pajtohej disi tepër me botën poshtë! Bari që i rrinte afër rreth saj e tregonte më të afruar me atë nën dhè, tepër e re për t’u shkrirë me ta. Ai ndjeu djersë të ftohta në ballë. U përkul e i vuri dorën ëmbëlsisht te supi si për ta afruar te mendimi i tij. Ajo ndënji dhe ca pa lëvizur si për të thënë ca fjalë të fundit, pastaj nisi të çohej. E pa në sy atë me një nënqeshje të lodhur si t’i kërkonte falje:

- I detyrohem shumë! Qe një ëngjëll të cilin Zoti e thirri që nga këta qepariza...Ti je i zbehtë në fytyrë! – shtoi pastaj.

- Nuk ta spjegoj dot! – foli ai po ashtu i prerë; - tek të shihja, në shpirt m’u grumbulluan të gjallë e të vdekur bashkë e bisedonin trazuar me njeri tjetrin. Qenë të tërë të mitë e nuk dija kujt i takoja më parë...-

Ajo nënqeshi lehtë dhe u nisën të dilnin.



*

Ai po lexonte shtrirë në krevat. Ndjeu hapa, mbylli librin e u ngrit. Priti ca, mos Evgjenia trokiste te dera. U dëgjua zilja e portës, pastaj një bisedë njerëzish. Ai njohu hapat e saj në korridor që po nxitohej drejt të ardhurve. Ai vështroi midis saksive të luleve.

U hap porta e u dukën dy të rinj me një femër mes tyre. U takuan me vajzën e shtëpisë. Ajo i ftoi përzemërsisht të hynin brenda. Njeri e ndali e diç po flisnin në vënd; pastaj qeshën tepër gëzueshëm duke i hedhur dorën në krah njeri tjetrit, dhe nxituan të arrinin dy të tjerët. Po ecnin në korridor me të njëjtin humor.

Çajupi i ri u shtri në shtrat duke mbajtur vesh më tej. Dëgjonte të qeshurat e çiltra të saj, e këtij i bëhej më e largët. Do të donte që ai i pasmi të mos qe aq i hijshëm, si iu duk atij!



Trokiti dera; ajo e ftoi Çajupin e ri të shkonte me ta, ai nuk pranoi. Ajo përsëriti kërkesën, pastaj u largua. Ai hapi librin të lexonte. Njohu zërin e saj matanë tepër të lumtur, shoqëruar me ndërprerje fryme si nga lodhja e të qeshurës. Mbylli librin e po gjykonte, në kish bërë mirë a keq që nuk u bashkua me ta!..Kujtoi vendlindjen.. .fshati me kishë e me varre....fshatarja e vogël me të cilën donin ta fejonin kthehej nga ara me duaj gruri në shpinë; u ul bashkë me shoqet të çlodheshin në hije te një vijë e kulluar uji. Këputi një gjethe të njomë arre, e shtrëngoi në pëllëmbë pastaj e afroi t’i mirrte erë...



*

Ata po dilnin po me zhurmë të gëzueshme. Ai i ndoqi me sy nga pas ballkonit. Në dalje të portës, njeriu i parë e ndali përsëri Evgjeninë. Ajo po e dëgjonte kujdesshëm për diçka, pastaj ia dha përsëri gazit të çiltër me dorën në krah, e u ndanë.

Ajo trokiti në dhomën e tij, dhe hyri. E pa në sy me vëmendje:

- Pse nuk erdhët - ?

Ai mblodhi buzët si t’i thoshte “kot”!

- Besoj, nuk do ketë arësye të mos e di dhe unë - vazhdoi ajo qetësisht, - unë do të ta tregoja arsyen. -

- Po flas dhe unë çiltër, e ndjeja veten të tepërt në të panjohur; ndoshta ju ngushtoja gëzimin! -

- Më bëhet, nuk i njihni njerëzit, aq më tepër kur jam unë mes tyre! -

- Ndoshta, nuk njoh zakonet e të tjerëve...Po flas dhe më tej hapur, duke kërkuar falje në gaboj: një vajzë inteligjente zbret nga lartësia fisnike tek derdhet në humor të rëndomtë bisedash! Serioziteti është kurora e hijeshisë -. Ajo i nguli sytë disi e habitur, dhe priste të dëgjonte më shumë. Ai heshti. Ajo foli:

- Qenë klientë të mi. Me ta fitova një gjyq pronësie si avokate. Gëzimi i madh qe i natyrshëm, dhe do vazhdojë. Këtu, me ligjet tona të forta nuk është lehtë as të humbasësh, as të fitosh...Ti më fyeve para tyre. -

- Ndoshta gaboj në rastin e veçantë, shtoi ai, por këshilla në tërësi pranohet. -

- Ndoshta, keni të drejtë -, shtoi ajo. Përshëndeti njerëzishëm dhe u largua.

Ajo nuk po trokiste më në derën e tij. I ati i saj, gjithmonë i qetë e asnjanës, në kalim të riut të huaj i ngrinte pak kapelen në shënjë nderimi, pa vështruar nga ai që nderonte. Zonja i buzëqeshte me mirësi e vazhdonte udhën pas të shoqit.

Ai dëgjonte hapat e saj në koridor e i bëhej se ato gjithmonë e më shumë largoheshin prej tij. E kuptonte që kish gabuar, po s’dinte si ta ndreqte.

Kur dilte nga Universiteti, herë herë kalonte qetësisht përballë zyrës së saj. Shihte njerëz brënda, e i bëhej se në ballë të tyre qe ai, «i lumturi» i hijshëm që qe shfaqur për pikëllimin e tij.

Pasdite ai erdhi përsëri në shtëpi të saj me një zarf të madh në dorë. Si zakonisht ajo i hapi portën e po ecnin në koridor drejt dhomës së saj. Studenti i huaj priti mos ajo trokiste në derën e tij për ta ftuar, por ky mendim iu duk i djegur. Vuri veshin mos dëgjonte zhurmë. Kish heshtje të plotë. Kjo e pikëlloi më shumë.

Të nesërmen Çajupi i ri erdhi në shtëpi me një shoqen e tij studente. Qe një rumune e bukur, e shkathët si kampione ping-pongu. Qe veshur po ashtu bukur, me një nënqeshje të ëmbël si e pafaj. Kish hedhur një parfum të hollë që kur i afroheshe të kujtonte manushaqet.

- Zgjidh ç’libra të duash! - i tha ai.

Ajo shkoi u pa në pasqyrën përballë, i buzëqeshi portretit të saj pastaj u drejtua nga librat.

U hap porta e hyri Evgjenia. Ai e gjallëroi bisedën me studenten rumune. I tha një humor, e ajo qeshi me të madhe. Trokiti dera e u duk Evgjenia. I përshëndeti qetësisht, pastaj atij i dorëzoi një letër që i dërgonte i ati nga larg në adresë të shtëpisë. Ai e falënderoi.

- Një shoqja ime studente, po zgjedh ca libra - spjegoi ai. Ajo i dha dorën vajzës rumune dhe e përqafoi përzemërsisht:

- Qënke shumë e hijshme, po na zbukuron pallatin, pse nuk ke ardhur më parë!? - foli vajza e shtëpisë. Rumunes i ndriti fytyra dhe vështroi nga shoku i saj student. Ai kish mbetur disi i hutuar:

- Është rumune...- foli ai.

- Popull i mirë, latin...Si studente e huaj, më kërkoni çdo ndihmë! – iu drejtua asaj. - Ma shpërbleni në Rumani!.. Më falni që u ndërpreva punën. Ju ftoj që të vini dhe tek unë lart, që të dy! Zgjidhni dhe nga librat e mia! -

- Ju falënderoj, po sot nxitohem - foli rumunia.

Vajza e shtëpisë përshëndeti po me mirësjellje e doli.

- Sa njerëzore! - tha rumunia. Ai nuk foli.

Pas pak trokiti dera e hyri Evgjenia. Në dorë mbante një stoli të ndritshme flokësh.

- Mendoj, se të shkon shumë! Ta dhuroj si studente meqë na erdhe në shtëpi. Ta kesh dhe për nuse! -

Disi e habitur, ajo vështroi nga kolegu.

- Merre! - i bëri shenjë ai pa folur më tej. Ajo e vuri stolinë në flokë dhe po shihej në pasqyrë. Ai hodhi sytë nga Evgjenia, në ishte ajo apo një tjetër! Ajo i buzëqeshi dhe u largua qetësisht.

Ditët më pas i erdhën tepër të pikëlluara. Ndjeu se i qe ngatërruar jeta dhe këtij lëmshi që e kish bërë vetë s’ia gjente fillin për ta rregulluar! U vinte veshin hapave në koridor, por tani ato të gjitha shkonin në punë të tyre.

Me dy librat në dorë, “Vuajtjet e Verterit të ri” dhe “Heloiza e re” trokiti në derë të Evgjenisë. Ajo e hapi dhe ky foli menjëherë tërë mirësjellje:

- Po ju sjell librat tuaja, me mkirënjohje!-

- Mund t’i mbani dhe më shumë – foli ajo – janë libra që rilexohen! -

- Ju falemnderit, po më mirë t’i dorëzoj se që të dyja të mësojnë si të vrasësh veten dy herë njera pas tjetrës!...Do të doja ndonjë libër, që të të largojnë nga ajo mëndje!..- Ajo vuri lehtë buzën në gaz:

- Hyni në dhomë e zgjidheni vetë atë libër!..-

Ai hyri ngadalë në dhomë. Ajo mbylli lehtë derën pas tij.
Orfe@
Orfe@
Antar i e regjistruar
Antar i e regjistruar

Numri i postimeve : 23
Points : 63
Reputation : 4
Registration date : 22/04/2009

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye


 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi