FORUM SHQIPTAR
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

TI MBROJME FEMIJET NGA ZYRTARET

Shko poshtë

TI MBROJME FEMIJET NGA ZYRTARET Empty TI MBROJME FEMIJET NGA ZYRTARET

Mesazh nga ADMIN Tue Mar 10, 2009 4:06 am


T‘i mbrojmë femrat nga zyrtarë si Pango
Prokuroria, tjetër akuzë ish-ministrit. Influenca dhe projektet për Institutin e tij


Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Zyra për Mbrojtjen e Qytetarëve, i bëri apel Kuvendit për të ashpërsuar legjislacionin ndaj dhunës fizike dhe psikologjike që ushtrohet ndaj femrës. "Debati për rastin e ditëve të fundit dëshmon qartë se kemi nevojë për forcim të legjislacionit, në mënyrë që dhunuesit të përballen me ligjin", thuhet në deklaratën për shtyp të ZMQ-së. Teksa konstatohet se më shumë se sa mendohet, dhuna ndaj femrave nuk ndëshkohet. "Dhunuesit bredhin të lirë. Rastet e fundit të bëra publike në media tregojnë qartë se askund dhe nga askush, femrat nuk janë imunë ndaj dhunës dhe presionit psikologjik", vijon deklarata. ZMQ i kërkoi Parlamentit që me një zë të fortë dhe të qartë të dëshmojë se dhuna ndaj femrës nuk do të tolerohet në çdo formë që të shfaqet, në çdo rrethanë dhe në çdo vend. Askush nuk qëndron dhe nuk duhet të qëndrojë mbi ligjin. Kjo organizatë shpreh nevojën e një ligji ku të bëhet e qartë se ngacmimi seksual është krim dhe personat përgjegjës do të marrin ndëshkim shembullor. Ditët e fundit, ZMQ deklaron se ka marrë me dhjetëra telefonata ku gra dhe vajza kanë denoncuar ngacmimet seksuale që ato ndiejnë përditë në ambientin e tyre të punës. "Rasti i bërë publik në media nuk është një rast i izoluar që mori përgjigjen e merituar. Asnjë fushatë, sado e furishme të jetë, nuk fshin nga kujtesa e njerëzve atë që ndodhi, ashtu sikundër është koha për të shkuar te rrënjët e fenomenit", vlerësoi ZMQ. Sipas tyre, është koha për të hapur një debat të sinqertë dhe të dhimbshëm rreth këtij problemi të rëndë. "Është koha që, në radhë të parë, mbartësit e vullnetit të popullit të japin shembullin e tyre, duke amenduar ligjin në favor të grave dhe vajzave të dhunuara. Rasti i ish-ministrit dëshmon se ligji për shërbimin civil ka mbetur vetëm në letër. Statusi i shërbimit civil ende mbetet një fiksion dhe konkurrenca për një vend pune mbetet e centralizuar, si dhe jo mbi kritere profesionale", nënvizoi ZMQ. Në vlerësimin e drejtuesve të Zyrës për Mbrojtjen e Qytetarit, në një shoqëri demokratike, një njeri rekrutohet në punë në bazë të meritave që ka dhe jo seksit, moshës, racës apo pamjes së jashtme. Zyra, përmes ekipit të vet të avokatëve, i ofron asistencë ligjore falas çdo femre që ndihet e dhunuar për të çuar në dyert e gjykatës të gjithë ato raste kur persona zyrtarë përdorin postin për shantazh seksual, por edhe për të gjitha rastet e dhunës dhe abuzimit ndaj grave. ZMQ vlerëson se dhuna ndaj grave dhe vajzave nuk është thjesht "çështje e grave", por një problem që duhet të shqetësojë të gjithë shoqërinë dhe të gjithë aktorët që mund të ndikojnë në zgjidhjen e problemit. "Vetëm duke u bërë çështje e të gjithëve dhe vetëm duke u angazhuar seriozisht për t‘i dhënë zgjidhje problemeve të gruas, shoqëria shqiptare do të jetë e

barabartë dhe do të ndihet e qetë", vijon deklarata e ZMQ. Duke e konsideruar 8 Marsin si ditën për të uruar nënën, gruan e vajzën shqiptare, por edhe ditën e reflektimit me fjalë dhe vepra në mënyrë që barazia e femrës në shoqërinë shqiptare të mos mbetet vetëm slogan. "Është dita që kuotat e pjesëmarrjes së grave në jetën politikë të mos mbeten vetëm retorikë, është dita që barazia e femrës, e garantuar me ligj, të mos mbetet vetëm në letër, është dita që sidomos ata që janë në pozita drejtuese dhe shfrytëzojnë postin për avantazhe personale të kujtohen se një ditë drejtësia do të bëhet", insiston ZMQ.


Zonja e Parë flet në "E Diell" mbi skandalin e ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango: Nuk duhet të abuzohet me ngjarjen


Teuta Topi: Fenomeni, një

shpërdorim i vlerave të njeriut


Zonja e Parë, Teuta Topi, e ka konsideruar si "shpërdorim të vlerave të njeriut" skandalin "Pango", të bërë publik disa ditë më parë në televizionin "Top Channel". Ajo deklaroi se nuk e ka përjetuar mirë ngjarjen dhe theksoi se nuk bëhet fjalë për një rast të veçantë, por një fenomen që ndodh shpesh në shoqërinë shqiptare. "Nuk e kam përjetuar mirë, sepse të gjitha mënyrat e jetesës që solli demokracia, ndoshta shpërdoren vlerat që njeriu duhet të ketë në vetvete", vlerësoi zonja Topi në emisionin "E diell" në "Top Channel". Ajo nënvizoi gjithashtu se kjo nuk është as e para dhe as e fundit, ka edhe shumë raste të tjera të papublikuara. Bashkëshortja e Presidentit të Republikës shfrytëzoi rastin të bëjë apel që me këtë ngjarje të mos abuzohet, duke ngritur lart vlerat e bërjes publike të skandalit nga emisioni investigativ "Fiks Fare". "Pati vlerën e vet dhe çdo gjë duhet me masë. Nuk duhet të abuzohet me ngjarjen. Nga çdo e keqe duhet të dalë një e mirë", konstatoi Topi. Në administratë, ngulmoi ajo, ka rregulla dhe nuk duhet të përfitohet nga pushteti. Vetëm pak ditë më parë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, firmosi dekretin për shkarkimin e ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. Kreu i shtetit i tha medias se "me të ardhur në tavolinë propozimi i Kryeministrit, nuk kanë kaluar shumë minuta dhe unë kam dekretuar shkarkimin e tij". Duke mos dashur të bëjë shumë komente rreth skandalit "Pango", Presidenti theksoi se ky veprim flet qartë dhe është media ajo që bën komentet në funksion të veprimit. Por, shtoi ai, "unë i mbetem gjithmonë atij parimi që Presidenti shprehet me dekret". Për kreun e shtetit, reagimi i tij kishte qenë në mënyrë institucionale dhe për këtë veprim, ai tashmë nuk kishte asnjë hezitim. Ai vlerësoi se, lidhur me emërimin e ministrit të ri, nuk do të ketë asnjë vonesë, do ta firmosë dekretin sapo emri i propozuar nga Kryeministri Berisha të paraqitet në tryezën e tij të punës. Para mediave, Presidenti nuk i kurseu vlerësimet për emrin e ministrit të ri, duke thënë se "paraprakisht e vlerësoj personalitetin e zotit Ardian Turku dhe pa pikë mëdyshjeje, ai do të dekretohet në momentin e parë që do të arrijë në zyrë". Deri më tani, emri i ministrit të ri nuk ka mbërritur ende në tryezën e kreut të shtetit.


Guxholli


Ky rast kërkon një

reagim më ligjor


Këshilltarja ekonomike e Kryeministrit Sali Berisha, Zana Guxholli, e cilësoi dje fenomen ngjarjen ku u përfshi ish-ministri i Kulturës Ylli Pango. Sipas saj, imazhi i femrës shqiptare nuk është një imazh i ngritur apo i prishur nga një individ apo nga një ngjarje e rastit. "Në çdo shoqëri ka fenomene negative, të cilat herë pas here shpërthejnë dhe pikërisht momenti i shpërthimit të fenomeneve negative e bën shoqërinë të mendojë dhe për një reagim më ligjor dhe më formal ndaj tyre", nënvizoi Guxholli. Ajo këmbënguli se kontributi dhe arritjet e femrës shqiptare apo të femrës në mbarë botën asnjëherë nuk janë pre e këtyre fenomeneve të rastit.


ADMIN
ADMIN
admin
admin

Numri i postimeve : 902
Points : 859
Reputation : 10
Registration date : 10/01/2009

http://www.Bajzianet.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

TI MBROJME FEMIJET NGA ZYRTARET Empty Re: TI MBROJME FEMIJET NGA ZYRTARET

Mesazh nga ADMIN Tue Mar 10, 2009 4:14 am

Ndihma ligjore


Konflikti me institucionet shtetërore


KSHH trajton mbi njëmijë ankesa në vit


Komiteti Shqiptar i Helsinkit, përmes programit "Klinika Ligjore Falas", ka trajtuar brenda një viti më shumë se një mijë ankesa të qytetarëve që kanë pasur konflikte me institucionet shtetërore. Për këto raste janë ofruar konsulenca ligjore falas. Objektivi kryesor i projektit është mbrojtja e të drejtave të grupeve të pambrojtura të shoqërisë shqiptare, kur të drejtat e tyre shkelen nga përfaqësues të institucioneve shtetërore. Përfaqësues të KSHH-së sqarojnë se tri grupet kryesore ku është fokusuar programi janë: viktimat e ushtrimit të dhunës, të trajtimeve dhe degradimeve çnjerëzore, të kryera nga punonjësit e policisë, personeli i vendeve të paraburgimit dhe burgjeve; viktimat e diskriminimit nga punonjës të institucioneve shtetërore në përgjithësi, ai i minoritetit rom dhe komuniteti egjiptian, por edhe ata që janë cenuar nga e drejta për të pasur një proces të rregullt ligjor. Vetëm gjatë periudhës janar-shtator 2008 janë trajtuar 969 ankesa, të paraqitura nga 437 ankues. Ankesat kanë ardhur nga zona të ndryshme të Shqipërisë, por sidomos nga qytetet e mëdha. Sipas gjendjes sociale, ankesat kanë ardhur nga persona në gjendje të lirë, të paraburgosur, apo të burgosur që vuajnë dënimet, nga të shoqëruar apo të ndaluar në komisariatet e policisë. Ata janë adresuar në KSHH në rrugë të ndryshme. Një pjesë e tyre janë kryer përmes vëzhgimeve në vend. Objekt i këtyre vëzhgimeve kanë qenë dhomat e ndalimit, të shoqërimit në komisariatet e policisë, institucionet e paraburgimit dhe ekzekutimit të vendimeve penale, disa prej zonave ku ka përqendrime të minoritetit rom ose komunitetit egjiptian. "Vëzhgimet kanë lindur si domosdoshmëri për verifikimin e ankesave të ardhura në KSHH nga persona me liri të kufizuar dhe që kanë pretenduar për shkelje të të drejtave të tyre. Grupi i vëzhgimit ka përcjellë ankesat e personave të pambrojtur, të cilët për shkaqe të ndryshme si liria e kufizuar, gjendja shëndetësore, ose social-ekonomike, mungesa e informacionit, nuk kanë pasur mundësi për të sjellë vetë ankesën e tyre në zyrat e KSHH-së", shprehen përfaqësuesit e KSHH-së. Lidhur me trajtimin në paraburgim dhe burgje, ankesat flasin për shkelje të të drejtave, për kërkesa transferimesh ose jo, për ushtrim dhune fizike ose psikologjike nga personeli i burgjeve. Gjatë periudhës që mbulon raporti, KSHH ka marrë ankesa ku shtetasit kanë pretenduar për veprime të padrejta nga organet e policisë si: ndalime të pajustifikuara, mbajtje pa të drejtë në dhomat e ndalimit/shoqërimit, qëndrim jashtë afateve të parashikuara në ligj, mosvënia në dijeni për të drejtat e tyre në momentin e ndalimit/shoqërimit, kushte të këqija të dhomave të ndalimit/ arrestimit, ushtrim dhune psikike dhe fizike nga forcat e policisë. Ankesa ka pasur edhe për veprimet e organit të prokurorisë.


Si e shpërdoroi detyrën ish-ministri


Organi i akuzës fillon procedimin penal pas videos në "Fiks Fare"


Ylli Pango ka shfrytëzuar postin si ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për të marrë donacione për institutin e tij. Donacionet ishin qindra mijëra euro dhe vinin nga organizmat e huaja të BE-së, por nuk përjashtohen edhe paratë e ministrive shqiptare për institutin e Pangos, që drejtohej nga mbesa e tij. Burime zyrtare nga Prokuroria e Përgjithshme thanë dje se ka filluar procedimi penal ndaj ish-ministrit Pango për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. Dosja është regjistruar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe po hetohet nga prokurorja Anila Leka së bashku me oficerin e policisë gjyqësore, Afrim Shehu. Nga verifikimi i regjistrimit audioviziv, në të cilin pasqyrohen veprimet e kryera nga ish-ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, teksa po "shpërdoronte detyrën", duke e ftuar një vajzë në shtëpinë e tij për t‘i ofruar një vend pune kundrejt favoreve seksuale, hetuesit kanë përcaktuar se kaseta është origjinale dhe zëri është i Pangos. Duke analizuar çdo detaj në regjistrim, hetuesit kanë dyshuar se bëhet fjalë për një vepër penale dhe kanë regjistruar menjëherë dosjen në ngarkim të ish-ministrit, tashmë vetëm deputet. Ata kanë ndarë hetimet në dy pjesë: favoret për punësimin, duke shfrytëzuar detyrën dhe shpërdorimit të detyrës në lidhje me donacionet dhe dypunësimin në OJF-në. Sipas akuzës, Pango, duke shfrytëzuar udhëtimet jashtë shtetit si ministër i Kulturës "negocionte" me institute të ndryshme për akordimin e fondeve për "pronën" e tij.


Donacionet në OJF

Megjithëse institutet nuk mund të kontrollohen për donacionet financiare, organi i prokurorisë ka dyshime se ish-ministri Ylli Pango, duke shpërdoruar detyrën, ka influencuar që disa ministri të jepnin para për aktivitetin privat të tij. Regjistrimet e "Fiks Fare", ku ministri fliste me gazetaren për institutin dhe donacionet e ndryshme që merrte, kanë shërbyer për organin e akuzës si indicie për të filluar një investigim të thellë. Duke ditur se përgjimi nuk mund të shërbejë si provë në gjykatë, hetuesit e çështjes kanë përpiluar listën e dëshmitarëve nga MTKRS-ja, të cilët kanë qenë të dypunësuar. Nga bisedat e regjistruara dukej se Pango ishte drejtuesi i kësaj OJF-je, që sipas prokurorisë, është gjykuar shkelje e ligjit për "Parandalimin e Konfliktit të Interesave në Ushtrimin e Funksioneve Publike", të miratuar në prill të 2005-ës nga Kuvendi. Gjatë bisedës me vajzën, së cilës për vendin e punës ish-ministri Pango i kërkonte favore intime, është vënë re se deputeti me siglën e mbesës së tij, ka pohuar se ka përfituar projekte të ndryshme. Hetuesit dyshojnë se, duke shfrytëzuar postin e ministrit të Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve, Pango të ketë përfituar nga ministritë në vend dhe nga BE-ja, fonde të larta për projektet që organizata e tij i ka përgatitur. Fondet, sipas prokurorisë, dyshohet se janë siguruar falë ndërhyrjeve që ish-ministri Pango ka pasur te këto institucione shtetërore apo të huaja, për vjeljen e donacioneve të ndryshme nga projektet që përgatiste instituti i tij.


Regjistrimi i "Fiks Fare"

Ish-ministri Ylli Pango ka pranuar pronësinë mbi një institut të regjistruar në emër të mbesës, duke shkelur ligjin për konfliktin e interesave. Gjatë "përgjimit" të "Fiks Fare", ministri pranon se ka shkelur ligjin. Përgjimi është verifikuar dhe sipas prokurorisë, hetimet mund të shtrihen edhe nën akuzën e "korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë". Kjo vepër penale, sipas akuzës, është kryer në tërheqjen e fondacioneve të ndryshme nga OJF-ja e drejtuar nga mbesa e tij, duke shfrytëzuar postin për përfitimin e këtyre fondeve. Institucioni i akuzës konfirmon se do të verifikojë të gjitha të ardhurat e fituara nga ish-ministri Pango nga kjo OJF dhe që nuk janë deklaruar në Inspektoratin e Deklarimeve të Pasurisë.

"Ideja ishte të ishe këshilltarja ime, me rrogë shumë të mirë, sepse do të ishe e kabinetit...Unë kam një Institut dhe po të kishe ardhur, do të të kisha treguar disa gjëra shumë interesante. Atje sapo hyn, gjen shtatë botime, libra, botime të institutit, botime ku unë kam pasur të aktivizuar pedagogë dhe studentë të fakultetit dhe ky institut ka qenë shumë i fuqishëm, ka marrë edhe projekte 100 mijë, 200 mijë euro, 500 mijë euro të Komunitetit Evropian, UNDP... dhe gjithmonë ka pasur nevojë për njerëz....Dhe ç‘kam bërë? Kam kombinuar që njerëzit më të besuar t‘i kem dhe në ministri, t‘i kem edhe në institut. Meqë unë jam në ministri, quhet konflikt interesi, prandaj them që janë ca gjëra që me dash keq... prandaj doja të flisja në konfidencë. Institutin ia kam kaluar mbesës sime, që ta komandojë ajo si emër, por ndërkohë këta njerëz vazhdojnë punojnë dhe marrin projekte...", pranonte ish-ministri Pango në regjistrimin e bërë nga emisioni "Fiks Fare".


Neni 28

Kufizimet për deputetin

Deputeti:

a) nuk mund të jetë drejtues ose anëtar i organeve drejtuese të organizatave fitimprurëse

b) nuk mund të ushtrojë veprimtari private, që krijon të ardhura në formën e personit fizik tregtar, ortakëri personash fizikë tregtarë të çdo forme, profesione të lira të avokatisë, noterisë, ekspertit të licencuar, si dhe të konsulentit, agjentit a përfaqësuesit të organizatave të përcaktuara në shkronjën "a" të këtij neni dhe nuk mund të jetë i punësuar, me kohë të plotë, në një detyrë tjetër

c) nuk mund të zotërojë, në mënyrë aktive, asnjë aksion ose pjesë në kapital të një shoqërie tregtare, nëse ajo rezulton me pozitë dominuese në treg



AKUZA PENALE

Neni 260

Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë

Kërkimi ose marrja drejtpërdrejt ose tërthorazi i çdolloj përfitimi të parregullt, ose një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt nga funksionari i lartë shtetëror, ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga 4 - 12 vjet dhe me gjobë nga 1000000 - 5000000 lekë.




Pango nuk e ka deklaruar institutin

Deklarimi i pasurisë së ish-ministrit të Kulturës, Ylli Pango, për vitin 2007, nuk ka të referuar Institutin e Studimeve Sociale dhe Psikologjike. Në formularin e plotësuar më 11 shkurt të vitit të kaluar nga ish-ministri, vihet re se ai ka deklaruar të ardhura 2.5 milionë lekë të reja, e cila është paga e tij si ministër i Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sporteve. Kjo tregohet në faqen e tretë të formularit të deklarimit të pasurisë së Pangos. Po aty, shënohet se ai ka pasur 750 mijë lekë të reja të ardhura nga shitja e librave të tij. Po në të njëjtin deklarim, në faqen e dytë, ish-ministri ka plotësuar si pasuri të tij 2 milionë lekë të reja gjendje kesh, si pjesë e kursimeve të tij të fituara nga të ardhurat e tij nga paga e tij si ministër i Kulturës, shitja e librave Psikoterapi dhe Psikologji Sociale. Deklarimi mban firmën e ish-ministrit në tri faqet e tij, i plotësuar më datën 11 shkurt të vitit të kaluar. Kjo deklaratë pasurie përmban të ardhurat e fituara prej tij gjatë vitit 2007, ndërsa në të pasqyrohet edhe koha e fillimit të punës së tij si ministër i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në asnjë prej pasqyrave të deklaratës së firmosur nga ish-ministri Pango nuk vihet re deklarimi se ai ishte drejtues i një Instituti të Studimeve Sociale dhe Psikologjike Shqiptare, apo të kishte të ardhura prej tij. Deklarata e pasurisë të ish-ministrit pritet të merret nga organi i akuzës në cilësinë e provës shkresore, e cila do të verifikojë të ardhurat e ish-ministrit, tashmë i marrë nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme.




Organizata kundër dhunës së gruas:


"Pango", një nga shfaqjet më të egra të diskriminimit


Rrjeti Shqiptar kundër Dhunës me Bazë Gjinore dhe Trafikimit deklaron se ngacmimet seksuale në marrëdhëniet e punës janë një nga shfaqjet më të egra të diskriminimit ndaj gruas. Duke iu referuar rastit më të fundit të denoncuar nga emisioni "Fiks Fare", në Ditën e Gruas, kjo organizatë deklaron se "ato përbëjnë jo vetëm një aspekt të pabarazisë gjinore, por edhe një cenim të rëndë të dinjitetit njerëzor të grave e vajzave". Duke vazhduar më tej, organizata shton se dëshpërimi ynë është më i thellë po të mbajmë parasysh se një rast i tillë ndodh pikërisht atje ku gruaja dhe vajza duhet të gjejnë mbrojtjen dhe mbështetjen më të mirë. "I gjithë reagimi shoqëror kundër këtij rasti, pavarësisht nga ngjyrimet politike, ose përkatësia gjinore a shoqërore, ishte një mësim i mirë për qeveritë dhe të gjitha institucionet shtetërore, të cilat kanë detyrim, që jo vetëm të eliminojnë raste të tilla nga gjiri i tyre, por të identifikojnë dhe të luftojnë këto fenomene kudo që ndodhin. Është detyrë e institucioneve që të zbatojnë ligjin ekzistues, por njëkohësisht ta përmirësojnë atë me qëllim që të parandalojë dhe të godasë më mirë këtë fenomen të shëmtuar në shoqëri", thuhet në deklaratë.
ADMIN
ADMIN
admin
admin

Numri i postimeve : 902
Points : 859
Reputation : 10
Registration date : 10/01/2009

http://www.Bajzianet.com

Mbrapsht në krye Shko poshtë

Mbrapsht në krye

- Similar topics

 
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi