RIKTHEHET" PORTOKLLIA"
Faqja 1 e 1
RIKTHEHET" PORTOKLLIA"
Rikthehet "Portokallia" Sezoni i ri artistik çelet nesër në mbrëmje në ekranin e "Top Channel" Personazhe, risi, humor, spektakël...Prej nesër e në vazhdim, mbrëmjet e së dielës rikthejnë për publikun shqiptar spektaklin e madh të humorit, "Portokalli". Seria e parë që do të transmetohet në ekranin e "Top Channel" do të jetë e mbushur plot me surpriza. Audicionet janë zhvilluar dhe organizatorët premtojnë karaktere të reja që kanë shumë për të thënë. Prej dhomës së regjisë, Altin Basha ngulmon në detajet e fundit që duhen rregulluar para ngjitjes në skenë. Disa personazhe shkojnë e të tjerë vijnë. Kjo është rruga e njohur gjatë së cilës lindin e bëhen të suksesshëm personazhet e spektaklit që ka merituar përcaktimin e Akademisë së vetme të humorit në Shqipëri. Karaktere të cilat publiku ishte mësuar t‘i shikonte sezonin e shkuar, nuk do të jenë më. Por të tjerë do të kërkojnë vëmendjen dhe duartrokitjet e shikuesit. "Portokallia do të pasurohet nga personazhe të reja, personazhe surprizë nga jeta publike që do të interpretohen nga aktorët tanë, një pjesë e mirë e të cilëve janë riorganizuar në karaktere të reja. Në një përcaktim më të hollësishëm të tyre mund t‘i quajmë si karaktere pasqyrë të gjendjes aktuale, por edhe të ardhmes së Shqipërisë", shprehet regjisori i spektaklit, Altin Basha. Sipas tij, duke qenë se një pjesë e personazheve të "Portokallisë" furnizohen me tema politike, në fokus të këtij sezoni do të jetë periudha parazgjedhore e më tej zgjedhjet. Fenomene që publiku shqiptar i ka pjesë të shqetësime të tij të përditshme, thumbohen e risillen në vëmendje përmes batutave të humorit. Koha që "Portokalli" nuk ka qenë në transmetim u ka shërbyer autorëve të gjejnë lëndën e re, personazhet dhe formën e tyre të komunikimit me publikun. Skenaristët Jani Duro dhe Vangjel Kozma kanë qëmtuar përtej fjalëve të fjalorit për të sjellë batutat që ngacmojnë te publiku jo vetëm të qeshurën. "Gjatë kohës që publiku e percepton si pushim, ne kemi kryer audicionet për të përzgjedhur elementët e rinj. E gjithë kjo ka qenë periudhë pune për ne dhe tashmë jemi në momentin kur duhet t‘i ekspozojmë për publikun. Sigurisht që në skaletin e serisë së parë nuk është futur i gjithë produkti i audicioneve tona, sepse është e pamundur që të përmblidhen në kohën televizive që ne realizojmë dhe në përmasat e spektaklit. Në çdo javë do të jemi të detyruar të ndërrojmë personazhet", thekson regjisori Basha. Prezantimi i parë do të jetë nesër në mbrëmje në orën 20:45. Në drejtimin e spektaklit të humorit do të jetë tashmë dyshja e njohur Amarda Toska dhe Agron Llakaj, i cili edhe në këtë sezon do të sjellë disa karaktere të veçanta. Politikanët janë në listën e të parapëlqyerve. Por gjatë këtyre viteve të "Portokallisë" ai ka treguar se mund të hyjë nën lëkurën e çdo personazhi të mundshëm. Pjesa më e mirë e trupës do të jetë po ajo që publiku është mësuar të shohë, por në raste me karaktere të reja e në raste të tjera me personazhe të njohura, por të vendosur në situata dhe rrethana të tjera. Ndonëse tema aktuale politike do të jetë ushqimi i parë i këtij sezoni, temat sociale, të cilat kanë prodhuar në çdo sezon karaktere tipike, nuk janë mënjanuar. "Ne nuk i largohemi problematikës së sociales, të familjes e të individit në një realitet kaotik si i yni. Këto tema mbeten, por ka personazhe që e çojnë fokusin e tyre në temën politike e veçanërisht në situatën zgjedhore", thekson regjisori Basha. Ndryshime ka pësuar edhe skenografia, e cila vjen e pasuruar për t‘iu përshtatur edhe programit të parashikuar të sezonit. Përveç humorit, mbrëmjet e së dielës në ekranin e "Top Channel" do të ofrojnë edhe një spektakël të vërtetë. Argëtim, balet, muzikë do të jenë elementet e tjera që do t‘i japin më tepër ngjyra këtij programi humori, i cili është bërë pjesë e mbrëmjeve të shikuesit shqiptar, ndërsa personazhe të caktuara janë projektuar me batutat e tyre edhe në jetën e përditshme. Por surprizat e premtuara nuk do të jenë vetëm pjesë e serisë së parë të mbrëmjes së nesërme. Realizuesit premtojnë një sezon të mbushur me risi, personazhe e humor për të mos u humbur. Transmetimi Seria e parë e sezonit të ri artistik të spektaklit të madh të humorit nis mbrëmjen e nesërme në orën 20:45 në ekranin e "Top Channel". Realizuesit premtojnë surpriza të mëdha, të cilat do të vazhdojnë mbrëmjen e çdo të diele. Personazhet Janë gati t‘ju bëjnë të qeshni e të mendoni. "Portokallia" rikthen personazhet e dashura për publikun, por edhe karaktere të reja që do të kërkojnë suksesin në skenën e vetme të humorit. Disa personazhe të njohura nuk do të jenë më dhe të rinj do të vijnë. Surprizat Do të jenë të shumta. Jo vetëm në personazhet që do të ngjiten në skenën e "Portokallisë", por edhe në elementët e tjerë të spektaklit. Argëtim, balet, muzikë dhe një program i menduar për t‘i mbajtur shikuesit para ekranit. Prezantuesit Dyshja e njohur, Agron Llakaj dhe Amarda Toska do të jenë edhe këtë sezon prezantuesit e "Portokallisë". Përveç drejtuesit të programit, Llakaj, ashtu si edhe sezonet e shkuara, do të sjellë edhe një sërë personazhesh tipike. |
Faqja 1 e 1
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi